Kur para pak muajsh Kamza iu afrua zonës së Europës, shkoi aty për pak kohë dhe dukej një skuadër tepër superiore për të rrezikuar, në Kamzë nisën të ëndërronin Europën.
Gabuan, por nuk ishte gabimi i parë në këtë sezon, ku larguan edhe trajnerin Ndreu, ndërsa më pas nisën lojërat psikologjike.
Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, njëkohësisht bashkëpronar i klubit të futbollit, zgjodhi një rrugë të çuditshme: sulmoi egërsisht Laçin, duke thënë se e dinte që Laçi do mundej në Durrës e Shkodër.
Mziu bëri dy gafa të mëdha: së pari, kur je debutues në Superiore, mos bëj armiq.
Së dyti, kur armiku është Pashk Laska, është si të luash “e kuqe, e zezë”. Kur luan në Shqipëri, shanset për të fituar janë shumë të vogla.
Mziu luajti me zjarrin, u dogj. Pashku, i cili prej kohësh ka ndërtuar një klub model dhe i cili do ishte një shembull për klube si Kamza, u bë tym, nuk e zinte gjumi natën, e endërronte një sfidë si ajo e sotmja.
Kur erdhi java e parafundit, Kamza-Laçi ishte si rasti ideal i larjes së hesapeve, si në filmat uestern.
Problemi është se Pashku ka shumë armë, është i regjur dhe ka një skuadër të fortë, ndërsa Mziu jo vetëm që nuk ia ka idenë fare futbollit shqiptar, por mbeti edhe pa pistoletë, sepse realisht arma e madhe e Kamzës këtë sezon ka qenë Sebino Plaku, i pezulluar për ndeshjen e parafundit të kampionatit.
Laçi fitoi, me meritë, në një ndeshje të vërtetë, përtej akuzave të Kamzës. Pashku nuk ka nevojë të rrahë gjoksin, e ka arritur fitoren e tij morale, ndërsa Mziu ka humbur, keq.
Tani Mziu, që aq shumë zhurmë bëri me parashikimet e tij për ndeshjet e Laçit, le të na bëjë një parashikim për Partizani-Kamza, sepse e dimë që në Korçë do fitojë Vllaznia.
A do fitojë Kamza? Si do fitojë Kamza? A ka forcë kjo skuadër të mundë Partizanin, nëse të kuqtë luajnë seriozisht?
Para pak ditësh Partizani doli me një deklaratë ku mburrej se kundër Vllaznisë dha leksion ndershmërie. Tani Mziu duhet t’i lutet Partizanit dhe Gaz Demit: “President, lere ndershmërinë mënjanë, ma bëj një nder se ndoshta ta shpërblej!”. Kjo është ndershmëria shqiptare, apo jo? /sport- ekspres/