Si çdo vit, Bashkia Shkodër ka publikuar në faqen e vet në internet listën e bizneseve debitore. Lista është mjaft e gjatë, me mbi 2000 debitorë dhe ajo që bie në sy janë edhe mjaft biznese VIP që nuk paguajnë detyrimet që kanë ndaj Bashkisë Shkodër. Debitorët kanë vlera mjaft të mëdha, duke nisur nga rreth 200 milion lekë të vjetra, 80 milion e kështu me rradhë. Me një përllogaritje të shpejtë, jo të saktë, borxhi në total i këtyre bizneseve ndaj Bashkisë Shkodër arrin në rendin 3.5- 4 miliardë lekë. Për një bashki si ajo e Shkodrës, e cila ankohet edhe për mungesën e investimeve qeveritare, shuma e mësipërme do të mbyllte mjaft telashe. Në njoftimin e Bashkisë Shkodër në www.bashkiashkodër.gov.al lexojmë:
“Në mbështetje dhe zbatim të ligjit nr. 9632, dt. 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar; ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, udhëzimit nr.24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, njoftojmë të gjitha subjektet debitore të bashkisë Shkodër që të paguajne detyrimet e prapambetura dhe të respektojnë aktmarrëveshjet e lidhura për pagesat me këste të këtyre detyrimeve.
Lista e subjekteve debitore si më poshtë:
Verifikoni listen e debitorëve”.
Për ata që janë të interesuar të mësojnë nëse janë debitorë apo jo, por edhe të njihen me “borxhlinjtë” më të mëdhenj të Bashkisë Shkodër, mund të klikojnë direkt në linkun më sipër. Në fund, edhe një kujtesë- kërkesë për Bashkinë Shkodër: Mirë që publikohen bizneset debitore, por për vjeljen e detyrimeve si operohet?!