Dyfishohen lejet e ndërtimit të dhëna në vend për tre muajt e parë të vitit. Në të gjithë vendin në total janë dhënë 221 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, për periudhën janar –mars. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, lejet e ndërtimit janë rritur 118 për qind. Edhe sipërfaqja e miratuar për ndërtimet e reja është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Shifrat u bënë publike nga Instituti i Statistikave.
“Në tremujorin e parë 2018 janë miratuar gjithsej 221 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 101 leje të miratuara në tremujorin e parë 2017, duke shënuar një rritje prej 118,8 për qind. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2018 është rreth 200.944 m2 , nga rreth 91.864 m2 miratuar në tremujorin e parë 2017. Ky tregues, në tremujorin e parë 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shënoi rritje me 118,7 për qind”, shpjegon INSTAT-i.
Sipas Institutit të Statistikave, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e parë 2018 është 10,2 miliardë lekë, nga 11,1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2017. Ky tregues, në tremujorin e parë 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u ul me 7,6 për qind.
Sipas statistikave zyrtare në Tiranë, numri i lejeve të ndërtimit është 65, nga 43 leje ndërtimi që ishte një vit më parë. Këtyre lejeve në kryeqytet u korrespondon një sipërfaqe prej 103,507 metra katrorë, që është më shumë se 2,5 herë më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas rretheve, në Durrës u dhanë 23 leje ndërtimi, nga 11 leje ndërtimi që u dhanë një vit më parë, në Elbasan 19 leje, ndërsa në Fier 33 leje ndërtimi, nga 7 leje që u dhanë një vit më parë. Krahasuar me 3- mujorin e fundit të vitit 2017, në Shkodër janë dhënë 4 leje më pak, nga 23 vetëm 19 leje ndërtimi për 3- mujorin e parë të 2018- ës. /monitor/