Call Center-at “kambiste” që fshehin pas vetes brokera fantazmë e veprojnë si skema mashtruese, mund të kthehen në një problem kombëtar. Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Ervin Koçi tha se nga ana e institucionit që ai drejton janë nisur shkresa drejt një sërë institucioneve të rëndësishme në vend për të bashkërenduar një plan veprimi.
Koçi tha:
“Kemi pasur informacion që operojnë të tilla shoqëri sidomos në tregjet e huaja sa i përket shitjes së produkteve financiare. Nëse ata janë të licencuar nga broker të Bashkimit Europian kjo është një gjë pozitive se të paktën janë të kontrolluar. Problemi qëndron nëse ata janë broker fantazmë dhe qytetarët mund të përfshihen.
I kemi shkruar Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Shërbimit Informativ të Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të pastrimit të Parave. Kam bërë takime dypalëshe dhe kam kërkuar nga SHISH që të na japë emrat e kompanive. Duke qenë se institucioni ynë nuk kishte certifikatë sigurie për të marrë informacion të klasifikuar që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kemi kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare për të marrë informacion nga SHISh por duhet të kemi një plan veprimi konkret me gjithë institucionet.
Problemi i këtyre shoqërive është që ata më shumë marrin shtetas të huaj dhe nesër mund të kthehet në një problem kombëtar sepse mashtrohen qytetarë të huaj. Kjo mund të kthehet problem edhe nga institucionet ndërkombëtare nëse shërbejnë për pastrim parash.”, ka përfunduar Koçi.
Shqetësimi për operimin e Call Center-ve jotipikë që operojnë për shitje produktesh financiare ka të paktën dy vite që po lakohet gjerësisht.
Revista Monitor ka shkruar vazhdimisht që kompanitë që ofrojnë shërbimin forex dhe binary option (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë) kanë filluar të përhapen gjerësisht dhe në Shqipëri, teksa operatorët e call center, u goditën nga viti i kaluar goditur nga shtrëngimi i rregullave për delokalizimin nga qeveria italiane, dhe u detyruan të diversifikohen në këtë drejtim. Bazë mbetet Qipro. Aktorët e tregut pohojnë se janë mbi 50 operatorë që tashmë e ofrojnë këtë shërbim (marrin në telefon klientët potencialë dhe i orientojnë për këto forma investimi), nga të cilët vetëm 3 janë të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Për momentin autoritetet mbikëqyrëse nuk duken shumë të shqetësuara nga ky fenomen, pasi tregu i synuar për ta mbeten klientët jashtë vendit, jo ata shqiptarë, pra janë të huajt që rrezikojnë të humbin paratë. Gjithsesi, edhe në Shqipëri qëndron fakti që askush nuk i mbron klientët nëse ata humbin në këto forma investimi.