Televizioni është një strukturë, gazetari është një individ. Herët a vonë gjithmonë ndodh një përplasje apo një mosdakordësi, ndërmjet gazetarit-individ dhe strukturës dhe pronarit të saj.
Pronarët e mediave priren të mendojnë se struktura, është gjithmonë më e rëndësishme se gazetari individ. Herë herë kanë të drejtë dhe herë të tjera gabojnë.
Në këtë optikë do ta shikoja edhe rastin e Fevziut me televizionin Klan, televizion i cili, me largimin e Fevzos, do të ketë humbjet e veta dhe ajo që Fevzo shpreh në lidhje me strukturën programore, ndoshta ka të bëjë me investimet e forta të TVKlan, në emisionet argëtuese në prime time.
“Uji që nuk lëviz, qelbet herët a vonë…” – thotë populli, Fevzo ka patur marrëdhënien më besnike të mundshme me pronarin Frangaj, por duket se edhe maratonës së bashkëjetesës së “lumtur” Sandri-Blendi po shkon drejt fundit.
Nëse e bën dot këtë “blerje”, padyshim që Blushi, rrëfehet një drejtor i zoti dhe do të lëvizë fort ujërat e mediave elektronike. Aq më tepër drejt një televizioni me prirje të forta opozitare, të paktën deri tani.
Çështja shtrohet nëse Fevziu, tepër i mësuar me Klanin, do të vendosë ose jo, për të bërë një hap ndryshe në 20 vite bashkëpunimi të lëvdueshëm dhe maratonë.
Personalisht më duket e vështirë që kjo të ndodhë, po studimet dëshmojnë, se kur një mashkull i afrohet të 50-ave dhe Fevziu është 48, rreziku i divorceve rritet, divorce jo detyrimisht në familje, se edhe në këtë pikë, Blendi ka rrëfyer qëndrushmëri të habitshme.
Do të jetë e vështirë ose e pamundur që të merret ndonjëherë vesh, arësyeja e fshehtë dhe enigmatike e këtij largimi të mundshëm. Në të vërtetë, nuk është hera e parë që flitet për një gjë të tillë, por më pas, në një kohë të dytë, gjithshka është kthyer në korsinë e zakonshme.
A ka lidhje me politikën kjo gjë?
Rama ka disa kohë që nuk e ka shumë me dëshirë, të shkojë e të përballet në studio të forta, dhe gjithmonë e më shpesh parapëlqen, studio të buta dhe gazetarë apo gazetare të impresionuar nga personi i tij, që orgazmojnë nga audienca që ju sjell kryeministri për një natë.
Interesat financiare kanë edhe ato rolin e tyre dhe janë të ndërthurura me politikën e ditës dhe me faktin se kush është kryeministër sot. Por çdo përsiatje do të ishte e kotë, nëse lëvizja e Fevzos nuk konfirmohet dhe deri atëhere duhet të presim.
Pa dashur të ndërhyjmë në zgjedhjen sovarane të kolegut, nëse kjo ndodh, nuk është thjesht çështje tregu mediatik, ka gjithmonë diçka më shumë dhe shërben si tregues, për të kuptuar mjaft gjëra të tjera të nëndheshme…/Nga Artur Zheji, 360grade.al/