Në kongresin e dytë të vitit 1952 sollën dhurata edhe partitë komuniste nga vendet e tjera të “demokracive popullore” si: Çekosllovakia, Hungaria, Rumania, Polonia dhe Republika Demokratike Gjermane.
Më “kopracë” ishin rumunët, të cilët sollën albume dhe një Stalin e Lenin të vogël bronzi. Hungarezët ishin më të gjithanshëm në dhurata, duke filluar nga orenditë e shtëpisë, kupa argjendi, valixhe, pije etj.
Të tjerët ishin të dhëna pas teknologjisë së aparatet fotografike dhe dylbitë. Jepej përshtypja sikur po zhvillohej ndonjë dasmë dhe të ftuarit po sillnin taksën e pjesëmarrjes.
Kongresi i dytë i Partisë së Punës është i vetmi në historinë e kësaj partie ku u evidentuan dhurata nga partitë e ashtuquajtura motra. Mungesa e pjesëmarrjes së “partisë mëmë” të Bashkimit Sovjetik, u kompensua nga pjesëmarrja e partive të tjera të vendeve të “demokracisë popullore”, si dhe të vendeve ku lëvizja komuniste pretendonte të bënte terrorizmin e radhës.
Ndonëse komunistët udhëhiqen formalisht nga disa cilësi kamufluese idealesh, ku ndër të tjera hyn edhe mospranimi i dhuratave, në kongresin e dytë të 31 marsit – 7 prill 1952, janë paraqitur disa të tilla.
Ndërsa delegacioni mongol është mjaftuar me një flamur të madh të kuq, shokët kinezë duket sikur kanë hapur depon e ushqimeve për të përzgjedhur dhurata. Krahas portreteve të klasikëve apo busteve të Maos, ata janë kujdesur edhe për çaj dhe marmelatë. Sikur të kishin sjellë edhe ca djathë e mish, me siguri, shokët kinezë do ta thellonin veçantinë e dhuratave të tyre. /Nga Kastriot DERVISHI/