Në seancën e sotme gjyqësore ku ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhiaj kërkoi rihapjen e dosjes “Hajdari” avokati i tij paraqiti një dokument të SHIK-ut të asaj kohe, për të vërtetuar se emri i Izet Haxhisë nuk përmendet mes emrave të vrasësve.
Në dokumentin tre faqësh përshkruhet e gjithë dinamika e vrasjes së Azem Hajdarit në 12 shtator 1998, përfshirë edhe autorët e krimit, konfliktet me Haklajt dhe ngjarjet e e ndodhura në Tropojë.
Dokumenti i plotë
Nga disa burime të besueshme informative, të pavarura prej njëri-tjetri dyshohet se, autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari janë: Fatmir Muharrem Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Ferz Kërnaja, që të tre nga rrethi i Tropojës.
Në këtë dokument thuhet ndër të tjera se origjina e konfliktit mes këtij grupi dhe Azem Hajdarit zë fill me tentativën për vrasje që realizoi deputeti i PS, Gafur Mazreku ndaj Azem Hajdarit më datë 18 shtator 1997.
PD-ja pas kësaj ngjarje kërkoi që të realizonte një miting proteste në Tropojë. Shefi i Komisariatit të Policisë në atë përiudhë Fatmir Haklaj nuk ju dha leje dhe për pasojë krijoi konflikt me të quajturin Fatmir Hoxha, i cili është nga fshati Luzhë i Tropojës, në atë kohë ka qënë oficer i Policisë Kufitare në Shkodër, aktualisht qëndron i mbyllur në shtëpi për motive hasmërie.
Në datë 5 janar 1998 në qafë Luzhë, Tropojë vritet Shkëlqim Haklaj, i vëllai i Fatmir Haklës së bashku me kunatin e këtij të fundit të quajtur Kujtim Demiri. Kjo vrasje u dyshua të ishte bërë nga Haki Hoxha dhe Abdyl Matoshi nga fshati Luzhë, ish-oficer i Policisë në Burrel, të dy të shtyrë nga Azem Hajdari.
Më datën 6 janar 1998 në fshatin Cernice të Tropojës vritet Avdyl Matoshi, Gjin Kolbuçaj nga Bukova e Tropojës dhe Naim Dizdari i cili kish grua motrën e Abdyl Matoshit. Në këtë vrasje Fatmir Haklaj nuk ka marrë pjesë vetë.
Në vrasjen e Azem Hajdarit ka marrë pjesë edhe një person nga Nikla e Krujës, i njohur si vrasës profesionist dhe po atë datë rreth orës 24:00 është çuar i plagosur në spitalin e Tiranës ku edhe ka vdekur. Në xhep i është gjetur një pasaportë e firmosur nga Fatmir Meta ish-shefi i Komisariatit Tropojë. Për këtë person dyshohet se mund të jetë plagosur rëndë në momentin e përplasjes mes dy grupeve nga Azem Hajdari, ose është vrarë nga grupi i Jaho Mulosmanit, për të humbur gjurmët e krimit.
Ekzekutorët e vrasjes së Azem Hajdarit kanë udhëtuar për tërë natën në drejtim të Tropojës, ku kanë mbërritur rreth orës 05:00 të datës 13 shtator 1998.
Ish- ministri i Rendit Publik, Perikli Teta ka marrë dy herë Tropojën për të verifikuar vendndodhjen e Jaho Mulosmanit, i cili kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në Komisariat me pretekstin se ishte i sëmurë. Në orën 22:00 të datës 12 Shtator 1998 kur në shtëpinë e Jahos shkuan një grup policësh, babai i tij Salih Mulosmani, u tha që ishte brenda në dhomë dhe ata vetë nuk e verifikuan.
Taulant Dedja, përfaqësues i qeverisë për Tropojën, në mëngjesin e datës 13 shtator 1998, rreth orës 7:15 e ka konfirmuar ndodhjen e Jaho Mulosmanit në Tropojë.
Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës tip “Fuoristradë” e me llampën, sinjalin e policisë. Me këtë makinë Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë dy ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja. Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.
Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Ismet Haxhisë, Shefi i Qarkullimit Rrugor në Tropojë, vëllai i Izet Haxhisë. Kjo makinë është “Tipo” me targa “Policia 203”. Ismet Haxhia kishte ardhur në Tiranë 2-3 ditë para ngjarjes dhe është larguar prej saj ditën e mërkurë, pra katër ditë pas vrasjes.
Ismet Haxhia ka vëlla dhe Ismaedin Haxhiaj, Ismaedini dhe Halil Haklaj, vëlla i Fatmir Haklajt zhvillonin sëbashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gramsh me Rudi Bardhoshin, subjekt i ynë në gjurmim për trafik armësh. Me këtë ofertë ishin përzierë edhe Azem Hajdari e Ahmet Krasniqi, ministër i mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës. Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi drejt Tropojës, arrestohet nga policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhiaj. Me ta ndalohet e më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi i cili sipas informacioneve tona ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin e Shaban Meminë dhe ka dhëën informacion për trafikun e armëve. Ky fakt është marrë vesh nga Halili e Ismaedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998 dhe ka acaruar më tej situatën mes tyre.
Grupi i vrasësve të Azem Hajdarit dyshohet se është edhe autori i vjedhjes së fundit të Bankës sëTropojës, ku janë vjedhur rreth 600 milion lekë, të cialt i mbajnë në shtëpi si dhe autorë të grabitjes së makinave të OSBE-së, Kryqit të Kuq etj, me të cilat shëtisnin lirisht në Tropojë.
Theksojmë se ky grup në vazhdimësi ka dëshirën për të vrar edhe ish-Presidentin Sali berisha gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni.
Nga ana jonë po punohet për të sqaruar, verifikuar e vërtetuar më tej të dhënat që disponojmë.