Në vijim të rrëfimit të tij për gazetën “Panorama”, ish-anëtari i Byrosë Politike të KQPPSH-së, Muho Asllani, tregon se ç’ndodhi në orët e vona të natës së 17 dhjetorit 1981 në mbledhjen e Byrosë Politike dhe përmbysjen e situatës të nesërmen kur u njoftua vetëvrasja e Mehmet Shehut. Sipas tij, Hekuran Isai kërkoi shpalljen e Mehmet Shehut tradhtar, propozim i mbështetur dhe nga anëtarët e tjerë të Byrosë, ndërsa Enver Hoxha udhëzoi si do të trajtohej për popullin ky rast.
Si e trajtoi Mehmet Shehu çështjen e krushqisë me Turdijtë, për të cilën ishte thirrur dhe mbledhja e Byrosë?
Mehmeti e tregoi vetë historinë e krushqisë. Mehmeti tha se unë e dija se i ati i vajzës, Qazim Turdiu, ishte profesor matematike dhe se gratë tona kanë dhënë provim me të, edhe Nexhmija dhe Fiqiretja, se ai ka qenë 100% me Partinë e Punës, pa devijuar në jetën e tij nga asgjë, nuk i vura më rëndësi biografisë së tij, pasi ai ishte një nga ne. Nuk doja t’ia prishja ndjenjën e dashurisë djalit. Kështu që ne të tjerët në Byro s’kishim çfarë ta pyesnim më.
Po Enver Hoxha, çfarë qëndrimi mbajti kur Mehmet Shehu tregonte për krushqinë?
Asnjë reagim, dëgjonte. Edhe ne dëgjonim, por më vonë mësuam se Enver Hoxha ishte takuar me Mehmetin dhe ai ia kishte treguar të gjitha para se të bënim mbledhjen. Madje, edhe vizitën e Enver Hoxhës për fejesën e djalit të Mehmetit aty e morëm vesh, kur e tha Mehmeti. Ne nuk dinim gjë. Ata kishin marrëdhënie shumë të ngushta mes tyre.
Të tjerët çfarë kritikash i ngritën Mehmet Shehut në atë mbledhje?
Po disa i kujtuan dhe kohën e luftës. Një shok i kujtoi ekzekutimin e ballistëve në Lushnjë.
Cili ishte ai?
Nuk dua të them emra se ka edhe fëmijët dhe nuk dua të lëndohen. Ai e akuzoi Mehmet Shehun se pasi arrestoi ballistët që qëlluan me armë ndaj partizanëve të Brigadës së Parë, që po shkonte në Labinot për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm të rrethuar nga forcat gjermane, nuk u kishte bërë gjyqin partizan, por kishte vendosur për pushkatimin e tyre me kokën e vet. Sepse çdo brigadë kishte gjykatën e vet për të gjykuar për çdo sjellje apo veprim. Edhe ballistët, sipas këtij anëtari të Byrosë, duhet të kishin kaluar në gjyqin partizan dhe jo të veprohej si veprim personal dhe arrogant.
Po Mehmet Shehu reagoi?
Po, ishte i vetmi ndaj të cilit reagoi. I tha: Po si është e mundur që nuk ma ke thënë këtë vërejtje për 40 vjet që njihemi bashkë dhe vjen dhe ma thua sot?! Më mirë vonë se kurrë! Mehmet Shehu shpjegoi ngjarjen se si kishte ndodhur përplasja me ballistët në fshatin Matjan të Lushnjës. Mehmeti tha se edhe vëllai im, të ishte nga anët e ballistëve, do ta kisha vrarë. Kështu ishte lufta.
Si vijoi pastaj mbledhja?
Gjatë mbledhjes u bënë dhe disa pyetje, të cilave duhej t’u përgjigjej Mehmet Shehu. Kishte shkuar ora 9 e darkës dhe Enver Hoxha thotë: “Si thoni, ta mbyllim për sonte, sepse shkoi vonë dhe e vazhdojmë nesër?”. Mbledhja kishte filluar në orën 9 të mëngjesit dhe ishim 12 orë aty duke diskutuar. Shoku Enver tha: “Ta mbyllim për sonte. Shoku Mehmet, me qetësi, t’i shikojë të gjitha pyetjet që janë bërë, të shikojë dhe diskutimet e bëra, të marrë fjalën nesër dhe t’u japë shpjegime shokëve”.
Po të nesërmen si vijoi?
Të nesërmen në orën 9 ne shkuam në sallën e mbledhjes. Po prisnim të vinte Mehmet Shehu, ai po vonohej. Hyri në sallë Enver Hoxha, na përshëndeti të gjithëve.
Ju e kishit marrë vesh që Mehmet Shehu kishte vrarë veten?
Jo, nuk dinim gjë. E kishin marrë vesh Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu. Shoku Enver na tha që shoku Mehmet ka vrarë veten dhe ka lënë këtë zarf. “Urdhëro shoku Ramiz!”, i tha Enver Hoxha Ramiz Alisë, sepse Ramizi mbante në dorë zarfin që kishte lënë Mehmet Shehu. Ramizi tregoi që Kadri Hazbiu vajti i pari në vilën e Mehmetit dhe më pas kishte lajmëruar atë.
Çfarë shkruhej në zarf?
Mbi zarf shkruhej: Tepër sekret! Ta hapë vetëm shoku Enver! “Hape zarfin”, i tha shoku Enver Ramiz Alisë. E hapi Ramizi dhe e lexoi letrën.
Çfarë shprehte Enver Hoxha në mimikë kur lexohej letra e Mehmet Shehut?
Shoku Enver përsëriti disa herë: “Si ore ia hoqi vetes?! Pse e bëri atë?!” Shoku Enver i tha Ramizit që ta kalonte letrën tek të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Ia dha letrën Adil Çarçanit, e pa Adili, më pas ia kaloi Manush Myftiut, më pas mua, se kështu vinte rradha e në fund pasi kaloi dorë më dorë, letra përfundoi prapë në dorën e Ramizit.
Ju kishit punuar me Mehmet Shehun. A ishte shkrimi i tij në letër?
Unë e njoha që ai ishte shkrimi i Mehmet Shehut. Se kisha shënime në të gjitha dokumentat që i çoja në zyrë. Letra kaloi dorë më dorë. Në këtë kohë erdhi dhe Hekurani. Ia dha letrën dhe Hekuranit ta lexonte. Shoku Enver i kërkoi Hekuranit që të lexonte diskutimin që kishte në xhep që nuk mundi ta lexonte një ditë më parë për shkak të vdekjes së nënës. Edhe Hekurani, në fund të diskutimit të tij, shprehej se ishte dakord me vërejtjen që propozoi Simon Stefani.
Pas këtij momenti, si u vlerësua Mehmet Shehu në atë mbledhje të parë të Byrosë Politike?
Pasi u bë ky debat, u krijua bindja tek të gjithë se Mehmet Shehu pas kësaj analize dhe kritikash, do të merrte vërejtje se nuk ishte marrë sa duhet me edukimin e fëmijëve, nuk ishte marrë sa duhet me familjen dhe më pas të kishte parasysh kritikat e shokëve për arrogancën dhe ashpërsinë ndaj tyre, por do të vazhdonte punën si kryeministër. Pasi lexoi diskutimin e tij, Hekuran Isai, tha se ne shoku Enver, vetëvrasjen e kemi cilësuar “tradhëti ndaj atdheut, ndaj partisë dhe ndaj popullit”.
Shoku Enver pyeti: Po ju të tjerët si mendoni? Kadriu tha që vetëvrasja është tradhëti, po kështu dhe të tjerët. Ranë të gjithë dakort, askush nuk mund të thoshte të kundërtën, ishte me ligj ai përcaktim. Të gjithë që kishin vrarë veten ishin cilësuar tradhëtarë. Në fund, Enver Hoxha tha që të bëhet komunikata, t’i thuhet popullit, por ta trajtojmë si incident, që duke pastruar pistoletën, në një krizë nervore, iu shkrep pistoleta dhe vrau veten. Pra të dilte si një veprim aksidental. Në varrim, tha shoku Enver, të shkojë sekretari i Këshillit të Ministrave, bashkë me disa punonjës të aparatit të Këshillit të Ministrave.
Ju vetë, çfarë menduat për këtë vetëvrasje të Mehmet Shehut, të atij luftëtarit trim, siç njihej në atë kohë, që shkoi deri në Luftën e Spanjës, të arrijë të vrasë veten, çfarë ju erdhi ndërmend?
Vazhdimisht dhe tani që po flasim bashkë pas 37 vjetësh nga ajo ngjarje, unë jam i bindur se Mehmet Shehu me 99,99% ka vrarë veten.
Pse e ruani këtë 0,1%?
Sepse unë nuk jam marrë me problemet e sigurimit, unë kam pasur detyra partie dhe nuk i di as metodat se si punohej. Unë kam qenë sekretar i parë, Anëtar i Byrosë Politike dhe di që bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit firmosnin që po të nxirrnin sekretin, dënoheshin me pushkatim.
Po pse kishit bindjen se kishim të bënim me vetëvrasje?
E para, sepse duke njohur karakterin e tij të fortë, burrëror, kur kujtoj ato përballjet e tij sy më sy me ballistët e Mallakastrës dhe të Fierit, duke ditur nga historia, lavdinë e madhe të Brigadës së Parë Sulmuese dhe të Mehmet Shehut si komandant i saj, më ishte tiposur në mendje se Mehmet Shehu e vrau veten nga sedra, sepse u kritikua nga ne që nuk ishim gjëkundi krahasuar me historinë e tij. Duket ai u vra shpirtërisht dhe u prek në sedrën burrërore. Siç ia tha atij shokut të Byrosë që pse ke ndenjur kaq vjet me mua dhe nuk më ke bërë një herë kritikë për pushkatimin e ballistëve në Lushnje.
Të gjithë ata njerëz që e shikon si idhull, i thonin “amin, urdhëro si urdhëron”, në ato momente i dolën të gjithë kundër dhe po guxonin t’i jepnin dhe vërejtje në dokumentin e partisë. Për një komunist, kjo vërejtje ishte shumë e rëndë, e jo më për kryeministrin e vendit. Në mbledhjen e Byrosë Politike, u ngrit një nga shokët dhe tha se atje ku punoja unë në X rreth, janë vënë parrulla si të ishe Susllovi i Bashkimit Sovjetik apo si Suvarovi, ku thuhej: “Pa ndërlidhje, s’ka komandim, pa komandim s’ka fitore, Mehmet Shehu”. Pse nuk kishim vënë citate të Enver Hoxhës, por vunë të Mehmet Shehut?! E akuzoi si karrierist, si konkurrent të Enver Hoxhës. Kur i kujtoj sot më vjen për të qeshur.
Kur u mblodh përsëri Byroja Politike?
Mbledhja tjetër u bë pas 2-3 ditësh. Në atë mbledhje shoku Enver na thotë se para ca vitesh na ka ardhur një letër nga ambasada jonë në Argjentinë ku thuhej se në udhëheqjen e partisë sonë ka tradhëtarë, njerëz që punojnë për shërbimet e huaja. E solli ambasadori ynë, Pirro Andoni, ia dha Hysniut, Hysniu ma dha mua. E pashë, e gjykuam me shokun Hysni se kjo do të jetë ndërhyrje e sovjetikëve për të përçarë partinë. I thashë shokut Hysni, mbaje në kasafortë, mos e asgjëso. Në fakt çelësat e kasafortës së Hysni Kapos i kishte vetëm Enver Hoxha.
Edhe zyra e Hysni Kapos ka qenë bosh, pas vdekjes së tij nuk ponoi njeri atje?
Po po ka qenë bosh dhe kasaforta në zyrën e tij. Pas vetëvrasjes u kujtua se ishte letra dhe u mor spuntoja nga ajo për të lidhur shumë dyshime të tjera. U tha pastaj që kur Mehmet Shehu ka shkuar në OKB është takuar në anije me këtë e me atë dhe hartuan raportin sinoptik për agjent të shërbimeve të huaja. Ai raport më pas i vuri kapak të gjithave, Mehmet Shehu u cilësua agjent i KGB, CIA dhe UDB-së.
Duke dëgjuar raportin sinoptik për Mehmet Shehun, ju nuk e kishit bindjen se po të kishte dashur Mehmet Shehu të eleminonte Enver Hoxhës, do ta kishtë bërë sa herë të donte?
Po ta kishte në plan Mehmet Shehu, do ta kishte eleminu Enver Hoxhës 100 herë, sa herë të donte. Ata rrinin gjithë kohën bashkë dhe nuk i ndante gjë. E eleminonte edhe me helmim, se bashkë pinin kafe. Nuk kontrollohej dhe as ruhej Mehmet Shehu nga Enver Hoxha. Mehmet Shehu i ka qëndruar besnik Enver Hoxhës. Enver Hoxha hidhte ide, nëse kundërshtonte njeri, ai ishte vetëm Mehmet Shehu, ne të tjerët nuk e hapnim gojën.
Kur kam qenë Ministër Shteti, Enver Hoxha shkonte shpesh nga zyra e tij në zyrën e Mehmet Shehut, përmes tunelit që komunikonte mes kryeministrisë dhe Komitetit Qendror. Unë nuk e kisha kaluar ndonjëherë, por dyert i kisha parë. Pas 2-3 ditësh që kisha fillu punë në kryeministri, i them sekretarit të Mehmet Shehut se doja ta takoja. I shkoj në zyrë dhe më thotë: Dëgjo Muho, sa kohë të jemi në këto detyra, nuk do t’i marrësh leje as ndihmësit tim por do hysh direkt në zyrë, trokit ose mos trokit por hyr brenda. Por nuk do ti biesh derës kur të jetë shoku Enver në zyrë. Aty kuptova se shoku Enver shkoka dhe në zyrën e Mehmet Shehut. /panorama.com.al/