Nëse do të huazonim titullin e një filmi të famshëm, do t’i titullonim “Shtatë mrekullitë”, sepse në “Rusi 2018” mbërrijnë të pamposhtura, të paktën duke llogaritur vetëm fazën kualifikuese. Në rend alfabetik rigoroz janë: për Europën, Anglia, Belgjika, Gjermania dhe Spanja. Irani për Azinë dhe Senegali dhe Tunizia për Afrikën.
Natyrisht që paraqitja më e mirë është ajo e kampionëve të botës në fuqi, që pavarësisht se u shpallën kampionë të Kupës së Konfederatave verën e shkuar, gjermanët fituan edhe Grupin C të kualifikueseve të Botërorit në Kontinentin Plak. Njëra pas tjetrës viktimat ishin Azerbajxhani, Irlanda e Veriut, Norvegjia, Republika Çeke dhe San Marino. Shtatë kombëtaret e pamposhtura në fazën eliminatore në bazë të përqindjeve të fitoreve të arritura renditen si më poshtë: Gjermania 100%, Belgjika 90%, Spanja 90%, Anglia 80%, Tunizia 75%, Irani 66.7% dhe Senegali 62.5%.
ARGJENTINA – Por, nga ana tjetër e klasifikimit, ka edhe disa kombëtare që e prenë me shumë vështirësi biletën për në edicionin e 21- të të Kupës së Botës, duke arritur më pak se 50% fitore. Dhe ndër to janë Panamaja (37,5%), Argjentina dhe Kolumbia (38,9%) dhe Peruja (40%).
MENOTI – Por, trajneri i bardhekaltërve, kampionë bote në 1978-ën, Sezar Luis Menoti, njeriu që shkroi me germa të arta emrin e Argjentinës në arenën ndërkombëtare, thotë se ky Botëror do të jetë i Lionel Mesit ose i Nejmarit. Nënkampionët e botës janë shpallur për herë të fundit kampionë bote 32 vite më parë, në Meksikë 1986. “Unë nuk e kam kapacitetin për të analizuar në këtë moment, sepse transformohem në një tifoz. Unë i kam kritikuar të gjitha proceset në kombëtare, që nga ndryshimet e pakuptimta të trajnerëve, deri te drejtimi i federatës që nuk pati kurrë një projekt serioz.
Tani ka një drejtim dhe trajner të ri. Është një projekt për të cilin ka pak informacion. Kështu që unë nuk mund të bëj analiza, prandaj do të jem një tifoz”, tha 79-vjeçari, i cili në lidhje me favoritët e Botërorit shtoi: “Do të jetë Kupa e Botës e Mesit ose Nejmarit. Nuk e shoh Kristiano Ronaldon të luftojë, më shumë se çdo gjë, për Portugalinë”. /panorama.com.al/