Një pjesë e parë ku Nigeria nuk u pa në fushën e blertë por një pjesë e dytë me futboll spektakolar. “Shqiponjat e Afrikës” i kanë dhënë një leksion të mirëfilltë futbolli asaj që u quajt “Islanda e bukur” e botërorit. Ka mjaftuar Musa, që me dy gola ka likujduar “vikingët”. Dy gola në fakt, njëri më i bukur se tjetri dhe të dy përmes kundërsulmit. Nuk është e qartë se si ndodhi ndryshimi në mes dy pjesëve të 90- minutëshit, por trajneri gjerman i Nigerisë duket se ka bërë “mrekulli” në pushimin e ndeshjes, teksa trajneri- dentist i Islandës nuk ka patur shumë të bëjë. Vlen të përmendet se Islanda ka humbur një penallti të akorduar përmes sistemit VAR nga gjyqtari i takimit.