Festimi i Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit duke bërë shqiponjën pas golave që i shënuan Serbisë ka shkaktuar reagime të shumta në qarqet mediatike dhe jo vetëm. Festimi i dy futbollistëve me origjinë shqiptare është kthyer edhe në një çështje politike.
Federata serbe është ankuar në FIFA për gjyqtarin gjerman që nuk u dha penallti dhe për festimin e Xhakës dhe Shaqirit. Në fakt futbollistët rrezikojnë edhe gjoba ose edhe pezullime nga FIFA pasi në arenën ndërkombëtare FIFA nuk lejon asnjë lloj mesazhi, referimi ose festimi me sfond politik dhe për serbët festimi duke bërë shqiponjën simbolizon “Shqipërinë e Madhe”.
Vetë Xherdan Shaqiri i pyetur për mënyrën e festimit ka thënë: “Preferoj të mos flas, thjesht mund të them se isha i emocionuar pasi shënova gol”. Kapiteni Stefan Lichsteiner mbron dy shokët e skuadrës duke thënë:
“Xhaka dhe Shaqiri kanë bërë një ndeshje të mirë pasi serbët po na provokonin prej ditësh. Ka qenë një luftë e tmerrshme për familjarët e disa prej futbollistëve tanë. Ka pasur presione dhe provokimi kështu që për mua çdo gjë është Ok.”
Ndërkaq trajneri Vladimir Petkoviç kërkon që politika të mos ngatërrohet me sport ndërsa tekniku i Serbisë, Mlladen Krstajc, në lidhje me festimin e Xhakës dhe Shaqirit ka thënë:
“Nuk kam ndonjë koment për të bërë pasi unë jam një njeri i sportit dhe nuk u kushtoj vëmendje këtyre gjërave.”