Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët të vitit 1982, kur Kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete në rrethana tepër misterioze, për të cilat edhe sot pas 36 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”?!
Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-Kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë etj., etj..
Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij u përsërit e njëjta tablo si me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së.
Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ishanëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.
Po kështu, përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulëta që nga Komiteti Qendror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së Korpuseve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte Ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze që gazeta “Panorama” do e publikojë në ditët në vijim në disa numra, kemi përzgjedhur dhe po e fillojmë me një dosje që i përket Komitetit të Partisë së Korpusit të Fierit (Rep. 6561), të nënshkruara nga sekretari i partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku, e cila do botohet në tre numra radhazi.
Dokumenti
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
Sekret
KOMITETI I PARTISE Nr. 957 prot.
REP. 65.61 Fier, më 25 tetor 1982
I N F O R M A C I O N
MBI DISA PROBLEME QË DOLËN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË TË SHTABEVE DHE KOMITETIT TË PARTISË SË KORPUSIT GJATË DISKUTIMIT TË MATERIALIT TË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PARTISË “MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË KADRI HAZBIUT NË KOHEN QË ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONET E PLENIUMIT TË 5-të TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së.
KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së
T i r a n ë
Për armiqtë e Partisë dhe të popullit
Për Veli Llakën
-Ka qenë imoral e karrierist, nuk përfillte njerëzit, ishte arrogant e prepotent. Ai ka këmbëngulur për ndryshimin e ngjyrës së uniformës ushtarake. Njerëzit e tij i ka futur në Ushtri, si vëllain e tij, të cilin e titulloi oficer në Degën Ushtarake Vlorë, kushërinjtë e tij Enver Beja i ka titulluar oficerë dhe ka shtuar organikën në Degën Ushtarake Fier. Shtëpia e Veliut ka qenë bazë për Mehmet Shehun gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Ka denigruar Myfit Bardhin, komandant Korpusi, duke i thënë se me ty nuk merrem vesh. Ka grumbulluar në Tiranë njerëzit e tij.
Ai ka pasur lidhje me njerëz me përbërje jo të mirë në Divjakë si me Emin Sina. Ky u lëshonte fletëhyrjeje vetë personalisht njerëzve me përbërje jo të mirë për gjueti në Divjakë. Ai u merrte armët gjuetarëve në Divjakë dhe ua rregullonte në Uzinën e Artilerisë në Tiranë. Ky ka dhënë urdhër të mbahej në ushtri L.S., femër imorale që bredh poshtë e lartë, e që injoron rrobën ushtarake. Kur ka qenë komandant Korpusi në Fier, ka mbuluar gabimet që bëheshin, rendte pas gjahut dhe jo pas punës, në këtë fuste dhe kuadro të tjerë. Kur ka qenë komandant Korpusi në Fier, Veliut i është dhuruar një komutator telefonik nga Lipe Nashi, pra ai ka qenë i lidhur me të.
Më 31 mars 1975, Veli Llaka ka ardhur nga Tirana, pa ndonjë detyrë në Korpus dhe ka bërë xhiro para turizmit (është takuar me Piro Gushon), këtij më 26 mars i kishin dalë kritikat. Veli Llaka për një kohë ka qenë adjutant i Petrit Dumes. Gruaja e tij ka përbërje të keqe familjare. Mbante një kalë të dhuruar nga Petrit Dume. Ka shkuar në varrimin e të vjehrrës kulake. Veliu në Mallakastër vinte si soditës, fliste për bukuritë dhe kufijtë e Mallakastrës, pra nxiste ndjenjë shoviniste.
Ai thoshte “Këto m’i ka dhënë Mehmeti mua”. Ka dëmtuar elementët e gatishmërisë luftarake, ka dhënë urdhra që repartet e buzës së ujit të venë me punime në thellësi. Veli Llaka, në qershor të vitit 1982 është interesuar e ka urdhëruar që djali i Hito Çakos të vendoset ushtar në BRLLK, pranë familjes së tij. Në Libofshë të rrethit të Fierit ka urdhëruar që të vendoseshin qendrat e zjarrit në një luginë, të cilat të mos maskoheshin, se i kërkonte Mehmet Shehu në fotografi.
Për Nazar Berberin
Është njeri frikacak e servil, shumë herë ka premtuar për prodhim armësh e mjetesh, instrumentesh etj.. Ka thënë do t’i sjellim që nga viti 1976 e deri në vitin 1982 e asnjë nuk pruri. Ka sabotuar në drejtim të armës së artilerisë, duke i reduktuar organet e drejtimit. Ka dëmtuar gatishmërinë luftarake. Ka lejuar që në uzinat e prodhimit të armëve të ketë shumë skarcitete. Sidomos në ato 10-she. Ka sabotuar në prodhimin e armëve 20-she dhe në cilësinë e llojet e barutit. Bashkë me Kadri Hazbiun ky dha urdhër që të copëtohej arma e A.B.D. dhe tërheqja e saj në thellësi. Ka qëndruar larg problemeve e detyrave të ushtrisë. Ka sabotuar në ndërtimin e pozicioneve të artilerisë tokësore (tip tuneli).
Për Maliq Sadushin
Në Shkodër nuk shkëlqente. Ai u përkrah nga disa kuadro të padisiplinuar. Ka qenë fodull e mendjemadh në marrëdhëniet me kuadrot. Ai ka qenë tipik si Petrit Dumja, ndaj të shikohet puna e tij. Kur erdhi në Vlorë për problemin e nëndetëses u shpreh: “Pse s’e zbuluat ju të kundërajrorit me lokatorët tuaj, na latë mishin pa ngrënë”. Në një seminar për problemin e shkollave të mesme, kur ne diskutonim e jepnim mendime, ai u shpreh: “Thoni si të doni, atë e kemi vendosur ne”.
Ka bërë ndërhyrje për lëvizje kuadrosh të fisit të tij, si Gjon Vajza, megjithëse kandidat për anëtar partie dhe jashtë profilit të tij, gjithashtu Komiteti i Partisë i Korpusit e ka propozuar për ulje në detyrë të Dalip Pashës. Dhe ky propozim u kthye edhe njëherë nga Maliq Sadushi. Për komisarët kishte mendimin se ishin të paaftë dhe se punën e bëjnë komandantët.
Për Feçor Shehun
Përçmonte masën e kuadrove, rriste kultin e atyre që ishin servilë. Ai kuadrove të Sigurimit të Ushtrisë u thoshte “Ju jeni elifmatrakë”, s’merrni vesh nga normat e punës”. Gjithashtu është shprehur se: “Nuk e kuptoj dot Ministrinë e Brendshme pa Kadri Hazbiun ministër”. Ka qenë prepotent, njeri që fuste frikën dhe imoral.
Vërejtje për Komitetin e Partisë së Korpusit
Komiteti i Partisë i Korpusit kritikohet se nuk ka ndjekur si duhet punën për vendosjen e kuadrove, se në të janë zbatuar disa porosi që ka dhënë Drejtoria e Kuadrit, duke mos respektuar kriteret. Pati kritikë për të ushtruar kontroll të vazhdueshëm mbi kuadrot për zbatimin e vendimit të Byrosë Politike, si dhe për një punë më të kujdesshme për dekorimet. Aparati i Komitetit të Partisë duhet të ndihmojë e kontrollojë komandën e Korpusit.
Vërejtjet për komandën e Korpusit
Në metodën e punës së saj ka pasur diferencime. E ka ngarkuar me shumë R16AJA me dy batalione MITKA-4 dhe punime fortifikuese. Instruktorët e Shtabit të Korpusit të Stërvitjes dhe të Artilerisë të marrin pjesë më shumë në stërvitjet e SHLU-së dhe në ato të kompletimit. Të qarkullojnë shefat në Shtabin e Korpusit që kanë mbi 10 vjet.
Për shokun Andon Dollaku
Të jetë këmbëngulës në zbatimin e kritereve për lëvizjen e kuadrove se ka pasur ndonjë rast që janë lëvizur kuadro pa plotësuar kriteret. Të ndihmojë e të kontrollojë më shumë komandat e njësive dhe reparteve për zbatimin e vendimit të Byrosë Politike për kuadrot.
Për shokun Hysen Kambo
Të luftojë që të zbatohen normat e politikës së kuadrit, të ndihmojë organizatat bazë të partisë për njohjen e normave në metodën e punës së aparatit, të ketë më shumë dinamizëm dhe instruktorët të ndjekin stërvitjen.
Për shokun Kujtim Pulaj
Në metodën e punës së aparatit të ndihmojë për njohjen e detyrave, instruktorët të ndihmojnë më shumë në stërvitje, të organizojë edukim konkret në ato njësi e reparte që ka probleme, të luftojë më shumë për t’u dhënë në kohë përgjigje problemeve që propozohen nga njësitë e repartet.
Për shokun Myfit Bardhi
Kritikohet për rastet e ironisë, i pëlqen mendimi i tij, nuk përfill njerëzit për probleme pune. Nuk u vete njerëzve në vizita, sidomos në hidhërime. Të jetë më komunikues me vartësit e t’u kërkojë atë që i takon kuadrove. Ka raste të shkeljeve të vendimit të Byrosë për lëvizjen e kuadrit. Ka ndryshuar profilin pa marrë miratim nga lart. Ka veshur nënoficerë jashtë rregullave, si magazinierin e Kimisë në Korpus. Të aktivizojë të gjithë shefat. Në dhënien e urdhrave të kihet parasysh edhe sigurimi i kushteve për t’u zbatuar me bazë materiale. Shoku Myfit të trajtojë e ndihmojë më shumë kuadrot e rinj.
Për shokun Lili Bullari
Kritikohet se në mbledhje të ndryshme të ndërhyn shpesh, nuk të lë të diskutosh, flet vetë më shumë dhe kur i kërkon takim për një çështje (për atë që e kritikoj) nuk e pret, ofendon njerëzit pa të drejtë e nuk përfill mendimet. Ka maninë të flasë vetëm vetë në mbledhjet që zhvillohen. Ka pasur shkelje të vendimit të Byrosë Politike për nomenklaturën e kuadrove, për ndërrim profilesh etj.. Ka veshur nënoficerë jashtë rregullave në Shtabin e Korpusit.
Për shokun Asllan Hysi
Si anëtar i forumit në njësinë e tij, duhet të luftojë më tepër për të forcuar rregullin e disiplinën, sepse ka pasur raste të shkeljes së rregullave në ruajtjen e kufirit.
Për shokun Xhevat Kalemi
Të bëjë përpjekje më të mëdha lidhur me edukimin ideopolitik me problemet shqetësuese që ka njësia. Të punojë në mënyrë të diferencuar me disa kuadro që kanë probleme.
Për shokun Nebi Çela- Komandant i R55ABD Vlorë
Të luftojë më tepër për forcimin e disiplinës në repart. Si kandidat i Komitetit të Partisë, të bëjë përpjekje më të mëdha që në repartin e tij të ketë rregull dhe disiplinë.
Për shokun Kostaq Goga – Sekretar i Byrosë së Partisë Br.1S.
Të zgjidhë problemet e shqetësimet e të mos lërë ato të shtohen. Të ndërtojë raport të drejtë, zyrë-bazë.
Për shokun Rait Haska – Komisar i Br.1S
Nuk i zgjidhin problemet me kohë, nuk i ndihmojnë SHLU-së. S’kanë kërkesë llogarie. Për shokun Përparim Kodra – komisar i Br.1S Nuk i zgjidh problemet në kohë, nuk ndihmon SHLU-në, s’ka kërkesë llogarie.
Për shokun Luftar Osmëni – Komandant i Br.60K
Të luftojë “unin”. Kritikat që i bëhen t’i mirëpresë dhe të mos i marrë për keq. Të marrë më mirë parasysh kërkesat e vartësve, duke i vlerësuar më mirë problemet që shtrohen.
Për shokun Gafurr Çuçi
Në një bisedë që është bërë në Fier për kuptimin e situatës politiko-ushtarake, është shprehur: “Ju oficerët na jeni bërë si burri i nënës, prandaj nuk ua jap dorën”. Po në këtë mbledhje u bëri thirrje organeve të pushtetit për t’u kërkuar llogari kuadrove të ushtrisë. Në një bisedë tjetër u shpreh: “Tani kur u dhanë makinat, u prishën njerëzit”. Shpesh përdor shprehjet: Kolopuçë, e keni mendjen te xhixhat. Është shprehur se komandantët duhet ta kenë zyrën më të mirë, ata duhet të hipin në makinë më të parët. Pati kritika që shoku Gafurr të tregohet më vigjilent në zbulimin e veprimtarisë armiqësore në Ushtri.
Për shokun Ali Vukatana
Kritikat që bëheshin për kuadrot e MMP-së jashtë i përkrahte, ndërsa kur vinte në mbledhje, mbante qëndrim të kundërt.
Për shokun Bajo Topulli
Në shërbimin shëndetësor ka lejuar që në rezervën e 101/ K të ketë akoma materiale shëndetësore të “UNRRA”, prodhim i viteve të Luftës, ose para 1940-s. Këto mungesa i janë bërë të njohura Bajo Topullit dhe masa nuk ka marrë.
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE REP.6561
ANDON DOLLAKU