Gjermania është eliminuar nga Botërori i Rusisë, pas humbjes me rezultatin 0-2 që pësoi nga Korea e Jugut. Një rezultat surprizues që vë përpara përgjegjësisë një njeri të vetëm, trajnerin e gjermanëve, Joakim Lëv.
Ky i fundit nuk arriti që të evitojë një “tragjedi” të tillë, pavarësisht se shenjat paralajmëruese ishin dhënë më herët.
Teksa të gjithë tifozët gjermanë prisnin që Lëv të merrte përgjegjësitë në përfundimin e takimit dhe të largohej, ai ka zgjedhur që t’i përgjigjet në një moment tjetër kësaj çështje.
“Është kaq herët për mua që t’i përgjigjem pyetjes rreth shkarkimit tim. Dëshpërimi është ende brenda meje.
Unë nuk mund ta imagjinoja këtë. Isha vërtet shumë optimistë dhe më duhen disa orë tashmë për të marrë veten. Do të flasim nesër”, ka thënë Lëv.