Prokuroria kërkon arrest me burg për katër të arrestuarit e Toyotave me 3.4 milionë euro, bllokuar në Portin e Durrësit, ndërkohë që janë zbuluar edhe rolet që kishin secili prej tyre brenda grupit.
Para gjykatës dolën sot: Agim Çeka, 61 vjeç, Edi Lika (Cani), 41 vjeç dhe i biri, Klevi Lika (Cani), 21 vjeç, si dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç.
Po ashtu arrest me burg në mungesë pritet të kërkohet edhe për dy kushërinjtë e shpallur në kërkim si porositës, Alfred dhe Elvis Vladi, 33 e 38 vjeç.
Sipas Prokurorise, secili prej tyre ka rolin e vet specifik në këtë grup kriminal. Elvis Vladi ka gjetur mjetet me qëllim transportin e parave, Lika dhe Cani siguruan transportin e mjeteve, Alfred Vladi do priste mjetet kur të vinin në port, nderkohe qe Mollaymeri do zhdoganonte mjetet.
Mesohet se grupi ka bërë edhe dy rrugë të tjera më parë dhe ka dyshime se në dy rrugët e mëparshme kanë kaluar para.
Administratori i kompanisë që i solli makinat, Edi Lika ka deklaruar se makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë. Ai ka treguar edhe se ku janë ngarkuar.
“7 makinat ‘Toyota’ janë ngarkuar në Bruksel, Alfa Romeo në Liezh dhe Opeli në Ashen në Gjermani. Makinat i kishte porositur Alfred Vladi, që ka një biznes në Laprakë”, ka thënë Edi Lika.
Në dëshminë e zbardhur, Agim Ceka shprehet se prej një muaji punonte si shofer te kompania e administruar nga Edi Lika, ndërsa ka bërë tre rrugë në Belgjikë.
“Në datë 12.06.2018 më mori në telefon Edi Lika dhe më tha të merrja kamionin, pasi do të shkojmë për të marrë disa makina në Belgjikë. Në datë 13 qershor jemi nisur nga Tirana dhe kemi kaluar nga Hani i Hotit, duke kaluar nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania dhe me destinacion Belgjikën në Sherlo kemi mbërritur në 16 qershor, ku kishim qenë edhe më parë. Elvis Vladi ngarkoi makinat Toyota. Në kthim na mori në telefon Edi Lika, që tha se nuk duhet të kalonin nga Ancona, por nga Bari. Personi që priste makinat në Durrës e ka emrin Fredi (Alfred Vladi), djali i xhaxhait të Elvisit”, është shprehur Agim Ceka.
Dyshimet se 3 milionë e 366 mijë euro vijnë nga droga kanë shtuar diskutimet në organin e akuzës që dosja e Durrësit të përcillet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Por, sipas burimeve, nuk ka ende një vendim, për sa kohë nuk ka ende bindje se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal e për sa kohë veprat për të cilat është regjistruar hetimi fillestar, është pastrim parash që vijnë nga veprimtaria kriminale, falsifikim dhe armëmbajtje pa leje, çështja mund të qëndrojë në Prokurorinë e Durrësit. /Panorama/