Të nderuar subjekte tregtare,
Mbështetur në ligjin Nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit” i ndryshuar, neni 43, pika (a) subjektet që kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e tyre është e detyrueshme, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.
Detyrimin për depozitimin e dokumenteve të sipërcituara e kanë subjektet që janë regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, të cilët duhet të dorëzojnë pranë QKB-së:
Pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF;
Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme);
Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).
Afati i fundit i dorëzimit është data 31 Korrik 2018
Nëse një subjekt nuk përmbush këtë detyrim, brenda afatit ligjor të përcaktuar në ligjin nr.9723 datë 3.5.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar, atëherë QKB, së bashku me zbatimin e sanksionit të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të këtij ligji, vepron në përputhje me parashikimet e shkronjës “ë”, të nenit 54, të këtij ligji.
Mënyra e depozitimit:
Depozitimi i dokumenteve të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimi online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hapat e procedurës për kryerjen e aplikimit;
Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF, ku cdo dokument të ngarkohet si një dokument i vetëm;
Individi i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike;
Shërbimi ofrohet pa pagesë.
BËJNË PËRJASHTIM SUBJEKTET ME ADMINISTRATOR TË HUAJ DHE SHOQËRITË E KURSIM KREDITIT, APLIKIMET E TË CILËVE DO TË VIJOJNË TË KRYHEN VETËM NË SPORTELET E SHËRBIMIT TË QKB-SË. /Njoftim për mediat i QKB/