Vazhdojnë hetimet lidhur me 3.4 milionë eurot të kapura pak ditë më parë në Portin e Durrësit. Lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar pronari i kompanisë transportuese dhe shoferi i kamionit si dhe biznesmeni që do t’ipriste makinat, ndërsa dy kushërinj nga Dibra janë shpallur në kërkim. Por kujt i përkisnin paratë?
Sipas gazetares Klodiana Haxhiaj janë gjetur 106 dengje me shenjat përkatëse.
Gazetarja ka treguar sot në emisionin “Kjo javë” se eurot dyshohet se i përkasin tre grupeve kriminale të operojnë jashtë vendit.
Ajo tregoi: “Ne fillimisht na u tha se nga trageti i linjës së Ankonës ka mbërritur një automjet tip ‘Toyota Yaris’, me para kontrabandë. Bëhej fjalë për një shumë 1.5 mln euro fillimisht. Por e gjitha kjo kishte një hile brenda, pasi ishin autoritetet italiane, Interpol Roma, ata që kishin përçuar informacionin të autoritetet shqiptare për mbërritjen e parave kontrabandë, dhe Porti i Durrësit, policia kufitare, ishin vënë në gatishmëri. Pronari i transportieres kishte ndryshuar destinacionin prej nga do silleshin makinat ‘Toyota’, pasi me sa duket kishin marrë informacion. Pra dyshohet se ka patur rrjedhje informacioni.
Automjeti ka zbarkuar në Port rreth orës 9 të mëngjesit, dhe pas zbritjes së pasagjerëve kanë zbritur dhe automjetet. Dhe më pas ka ndërhyrë policia. Në momentin që u dyshua se në automjeti ku ndodheshin 9 makinat, mes tyre dhe Toyotat, ka mbërritur në port prokurori dhe ekspertët. Automjetet u dyshuan në vijën e dytë, ku ndodhet edhe skaneri i policisë kufitare. Të 9 automjetet që u kontrolluan vinin nga Belgjika, ku shofer ishte Agim Çeka dhe ndihmës Klevis Lika. Në dy prej tyre rezultoi se kishin para në pjesën e pasme. Makinat ishin me tek derë, ndaj pjesa e pasme e tyre ishte mbushur plot me para. U gjetën konkretisht 106 dengje me kartëmonedha euro, të prerjeve të ndryshme që dyshohet se i përkasin tre grupeve kriminale. Kjo për faktin se dengjet kanë shenja të ndryshme përkatëse, dhe dyshohet se i përkasin tre grupeve kriminale që operojnë jashtë vendit dh që kryesisht merren me trafikun e drogës.”
Më tej, ajo shtoi se këto para janë dërguar në laborator për të skanuar gjurmët e gishtave. Pas arrestimit të shoferëve, janë shpallur në kërkim edhe dy kushërinjtë Vladi, të dyshuar si porositësit e makinave.
Sipas Prokurorisë kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që operon jashtë vendit, në Belgjikë, Britani, apo Holandë. Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur letërporosi në Belgjikë dhe Gjermani për të mësuar rreth të kaluarës të personave të përfshirë në këtë rast. Një letërporosi pritet të dërgohet edhe në Britaninë e Madhe.
Aktualisht paratë e sekuestruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndodhen në Bankën e Shqipërisë.