Njëzet e katër vite pas vrasjes së vëllait të tij, Andres për shkak të autogolit që kushtoi eliminimin e Kolumbisë nga Botërori SHBA 1994, Santiago Eskobar, i njohur me nofkën Saki, ka frikë se ndonjë tjetër futbollist i kombëtares mund të ketë të njëjtin fund pas humbjes mbrëmjen e djeshme ndaj Anglisë në “Spartak Stadium” të Moskës. Një frikë që u shtohet kërcënimeve me vdekje që ka marrë në rrjetet sociale qendërmbrojtësi Karlos Sançez për shkak të kartonit të kuq ndaj Japonisë.
“Karlos duhet të jetë i trishtuar për gabimin që ka bërë dhe në të njëjtën kohë, i shqetësuar për familjen e tij”, tregon Eskobar për “Mirror”. “Por, vëllai im nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë kërcënim dhe thjesht e vranë në mënyrën më frikacake të mundshme.
Dhe fakti që ka ende persona që u lejohet të thonë të tilla gjëra dhe kërcënojnë me vdekje një futbollist në rrjetet sociale, tregon se nga vdekja e Andres nuk ka dalë asgjë e mirë dhe vendi im nuk ka mësuar asgjë. Këta njerëz nuk kanë fare lidhje me tifozët kolumbianë dhe duhen arrestuar dhe futur në burg. Por, pavarësisht asaj që i ndodhi vëllait tim, nuk ka ende ligj për t’i frenuar”.
GOLI I ANDRES – Shpresa e Sakit, i cili ka qenë gjithashtu një futbollist, por i niveleve më të ulëta dhe që sot drejton Universidad Katolika në Ekuador, është që bashkatdhetarët e tij të kuptojnë “që në fund futbolli është vetëm një lojë dhe që nuk mund t’i marrësh jetën dikujt, në këtë rast një futbollisti, vetëm sepse ka bërë një gabim”.
Ndeshja kundër Anglisë ka qenë gjithnjë speciale në familjen Eskobar, sepse pikërisht kundër “Tre Luanëve” në “Wembley”, në vitin 1988 Andres shënoi të vetmin gol me fanellën e përfaqësueses: “Ishte momenti më i rëndësishëm dhe emocionues i gjithë karrierës së tij. Dhe sa herë dua ta kujtoj vëllain mendoj atë gol”. /panorama.com.al/