Teksa Santiago Eskobar bënte thirrje që Kolumbia të luante me të njëjtin shpirt të vëllait të tij Andres për të ndihmuar Kolumbinë që të kalonte pengesën angleze në 1/8-at, shtypi kolumbian i kërkoi skuadrës një përgjigje në fushën e lojës për t’i mbyllur gojën kolegëve ishullorë që kishin nisur provokimet.
Dhe mbi të gjitha “The Sun”-it, që në faqen e parë të tabloidit ditën e ndeshjes, bënte një lojë fjalësh jo shumë elegante në lidhje me rivalët e tyre të djeshëm. Në një artikull që përmblidhte të gjitha gjërat që Kolumbia i ka dhënë botës (nga Shakira deri te kafeja dhe kokaina), titulli i faqes së parë lexonte “Go Kane”. Në pamje të parë duket se është thjesht një mesazh inkurajimi për kapitenin e tyre “Forca Kejn” dhe nuk ka asgjë anormale përse të xhindoseshin amerikano-jugorët. Por, pikërisht këtu qëndron edhe loja e fjalëve që në Britani janë specialistë dhe dinë ta bëjnë më mirë se kushdo tjetër.
Sepse “Go Kane” dhe “Cocaine” (Kokaina) kanë pak a shumë të njëjtin shqiptim në anglisht. “Është një titull i paedukatë”, reagoi televizioni “Caracol TV”, ndërkohë që gazeta “El Espectador” i shtonte tonet kërcënuese: “Përgjigja e Kolumbisë do të jetë në fushë”. Edhe ambasadori i Kolumbisë në Londër u ankua pas kësaj fyerjeje./panorama/