Shoqata e Bashkive të Shqipërisë përshendet vendimin e Presidentit të Republikës, z. Ilir META për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Bazuar në Kushtetutë, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin e duhur në interesin më të lartë edhe të komuniteteve që përfaqëson Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
Konstatojmë se në arsyetimin e Tij ligjor, Presidenti i Republikës është bazuar edhe në argumentet e paraqitura në kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, përfaqësues të së cilës u takuan pasditen e djeshme me Presidentin Sh.T.Z. Ilir Meta në Presidencë pikërisht për këtë çështje.
Tani që ligji është kthyer në Kuvend për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, u bëjmë thirrje deputetëve të reflektojnë dhe, në respekt të mandatit të dhënë nga qytetarët, të Kushtetutës, ligjeve por edhe moralit të tyre, t’i shërbejnë interesit publik duke ruajtur Teatrin si trashëgimi kulturore, dhe jo interesit antikushtetues të qeverisë.
Në fund, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë falenderon të gjithë faktorët, duke filluar me artistët dhe shoqërinë civile që së bashku, i’a dolën të mbrojmë një vlerë të padiskutueshme të trashëgimisë sonë më të vyer në breza, Teatrin Kombëtar. /Deklaratë për mediat e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë/