Viktor Ceko 59-vjeç nga Narta e Vlorës, është shqiptari i dytë i cili ka humbur jetën në Greqi pas zjarreve shkatërruese. Ai ndërroi jetë në spitalin e Athinës, pas djegieve të marra nga flakët.
Ish-fqinjë të familjes Ceko në Vlorë, tregojnë se kanë dëgjuar se Viktori ka humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar nga flakët një grua greke.
“E njoh si njeri të rregullt, si njeri punëtor. Ka punuar në kooperativë. Ai vajti tek zjarret, nxori fëmijët edhe gruan, vajti brenda në shtëpi të merrte diçka tjetër, aty e qëlloi flaka. Shtëpia u dogj e gjitha, kishte një fermë të vogël se ishte punëtor i madh”, thotë për “Report TV”, një nga banorët në lagjen në Vlorë, ku ka jetuar Viktori.
“Viktori si gjithë të tjerët, e kapi zjarri, u kthye për të ndihmuar një grua greke, se e kishte burrin invalid. Gruaja i tha ‘Viktor, kthehu se do digjesh’. Ne ishim në dijeni të djegies se kemi folur 2-3 ditë”, thotë një tjetër.
“Tani e morëm vesh, jemi shumë të shqetësuar për gruan dhe fëmijët. Viktori ishte djali më i mirë në lagje, punëtor. Kjo është shtëpia ku ka lindur dhe u rrit deri në vitin 1991”, është një tjetër dëshmi.
Viktima e parë shqiptare nga zjarret në Greqi Nica Leka, rreth 85 vjeç me origjinë nga Leshnica e Sarandës.
Numri i viktimave nga zjarret vdekjeprurëse në Greqi ka shkuar në 87, sipas autoriteteve greke.