Marr shkas nga një artikull i botuar në tpz.al mbi aludimet për dhenien me koncension te ngastrës 54 nga Kryetarja e Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës
Asnjëra nga sipërfaqet përbërësë të kësaj nënngastre nuk është pyll. Njëra nënparcelë sipërfaqe djerrë dhe pjesa tjetër është me bimësi pyjore, trungishte. Nuk ndodhet ndokund afër ndonjë sipërfaqeje ujore. Është 4 km larg në vijë ajrore larg nga Liqeni i Vaut të Dejës dhe rreth 10 km ne rrugë tokësore nga Ura e Spatharit- Liqeni i Vaut të Dejës. Zona nuk ka asnjë status, çka do të thotë se nuk është zonë e mbrojtur dhe as që ka qenë ndonjëherë. Nuk është kërkuar asgjëkundi dhënie me konçesion, por konkurim për dhënie me qira vetëm për veprimtari pushimi, argëtimi, rekreative, pa cënuar karakterin natyror dhe ekologjik të kësaj nënparcele, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria e saj e të shtohet bimësia.
Nuk është e vështirë të kuptohet qëllimi i artikullshkruesit. Synohet goditja e Bashkisë së Shkodrës e drejtuar nga opozita, por edhe e kryetares së saj, e cila është njëkohësisht kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
***
Në emër të parimit tonë, tashmë të konsoliduar dhe të vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë të TRANSPARENCËS, po paraqes më poshtë argumentet tona teknike që hedhin poshtë çdo aludim të dështuar që në nisje. Kjo bazuar në dokumente, të cilat janë të aksesueshme për këdo dhe me shumë rrugë e mënyra.
Keshilli i Bashkisë Shkodër me Vendim, nr 56 dt. 30.9.2017 ka miratura “Dhënien në përdorim të sipërfaqes prej 39 ha ndodhur në ekonominë pyjore Pruemos – Sheldi ngastra 54 nëngastra –a”. Duhet theksuar se ka qenë një vendim unanim i Këshillit bashkiak, i cili kujtojmë se ka në përbërje përfaqësues të forcave politike, të djathtë dhe të majtë,që, me pergjegjësi qytetare, kanë votuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e pronave të Bashkisë tonë.
Vendimi është marrë në mbështetje të ligjit nr. 139, dt. 17.12.2014 për “Vetëqeverisjen Vendore”, ligjit nr. 8743, dt. 22.02.2001 për “Pronat e paluajtshme të shtetit”, i ndryshuar; ligjit nr. 8744, date 22.02.2001 për “Transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, i ndryshuar; ligjit nr. 9385, datë 04.05.2005 për “Pyjet dhe shërbimin pyjor”, i ndryshuar; VKM nr. 433, datë 08.06.2016 për “Transferimin në pronësi të bashkive të pyjeve dhe të kullotave publike publike, sipas listave të inventarit, dhe aktualisht në administrimin e Ministrisë së Mjedisit e të ish-komunav/bashkive” si edhe Udhëzimit të Ministrisë së Mjedisit nr. 1, dt. 09.06.2016 për “Rregullat e procedurat e kërkimit të shqyrtimit e të miratimit të kërkesave për dhënien në përdorim të fondit pyjor dhe kullosor publik”.
Sqarojmë se sipërfaqja është pronë e Bashkisë Shkodër kjo sipas “Certifikatës së Pronësisë” me nr. 19/3, me sipërfaqe totale 1.535.635 m2 e regjistruar në vol. 1, fq. 147 në favor të Bashkia Shkodër.
Kjo sipërfaqe ndodhet rreth 4 km në vijë ajrore larg nga Liqeni i Vaut të Dejës dhe rreth 10km ne rrugë tokësore nga Ura e Spatharit-Liqeni i Vaut të Dejës.
Referuar dispozitave ligjore është miratuar “Dhënia në përdorim me qira nëpërmjet konkurimit publik” , kjo sipas dokumentit të publikuar në faqen e APP
http://www.app.gov.al/GetData/DownloadDoc?documentId=c1a4ab36-a88d-46dd-838e-e37052c72d38
Në shkrim thuhet “gjithcka ka filluar ne fundvit kur Bashkia ka kaluar në KB”. E verteta e dokumentuar është krejt ndryshe të nderuar.Vendimi është miratuar në muajin Shtator 2017.Studimi dhe projektvendimi janë diskutuar qysh me transferimin e pyjeve/kullotave ( tetor 2016) me qëllimi ruajtjen e menaxhimin e mirëtëaseteve si një pjesë e rëndësishme e qeverisjes lokale të mirë.
Bashkia Shkodër ka një shtrirje gjeografike të gjërë që përfshin një sërë burimesh. Me transferimin e pronave në administrimin vendor, menaxhimi i aseteve publike bëhet një përgjegjësi e rëndësishme vendore në shërbim të shpërndarjes së zhvillimit ekonomik në të gjithë territorin. Synimi kryesor ka qënë terheqja e investitorëve, për të cilët rajoni i Shkodrës ka shumë nevojë, sidomos në kushtet kur qeverisja qendrore ka bllokuar totalisht fondet për Bashkinë e Shkodrës, fakt ky tashmë i njohur botërisht.
Në vijim në shkrim thuhet“ndërsa nuk dihet nëse është marrë apo jo mendimi i institucioneve të tjera mjedisore”. Nënvizojmë seKëshilli i Bashkisë kryen veprimtarinë e vet bazuar në Ligjin 139, dt. 17.12.2014 për “Vetëqeverisjen Vendore”. Miratimi i vendimit në fjalë në Këshillin e Bashkisënuk kërkon miratim institucionesh por dëgjesë e diskutim publik me komunitetin e cila është realizuar dhe mund ta konsultoni në linkun e faqes zyrtare të Bashkisë Shkodër më poshtë:
http://www.bashkiashkoder.gov.al/web/Njoftim_per_Keshillim_me_Publikun_910_1.php
Referuar këtij vendimi, Këshilli i Bashkisë Shkodër miratoi me vota të plota të anëtarëve pjesëmarrës këtë vendim,si një mundësi e mirë për një zhvillim ekonomik të gjithë territorit.
Ky vendim i Këshillit të Bashkisë Shodër ka edhe shprehjen e ligjshmërisë së Prefektit të Qarkut Shkodër e cila nuk është “…në letra është edhe një shkresë e prefektit” siç shpreheni në shkrim. Në faqen web të Bashkisë Shkodër, në linkun më poshtë mund të gjeni edhe shprehjen e ligjshmërisë së Prefektit, i cili çertifikon të gjitha vendimet e qeverisjes vendore.
http://www.bashkiashkoder.gov.al/web/Vendimet_e_Keshillit_169_1.php
Në vijim shkrimi ka marrë pjesë nga njoftimi i publikuar në APP dhe bën komente të cilat i interpreton duke thënë të paverteta, të cilat qartësohen më poshtë:
Së pari, bëj me dije se është hera e tretë që Bashkia fton subjektet për të paraqitur interesin e tyre shoqëruar me dokumentacionin e duhur ligjor për të marrë pjesë në procedurën e konkurimit për marrjen me qira. Njoftimi në Buletinin e APP datës 23.07.2018 ështëi treti i bërë nga Bashkia Shkodër, pasi, pas dy thirrjeve të para, nuk ka patur pjesëmarrje në konkurim. Ky është një tregues i qartë i një procesi konkurues të hapur.
Së dyti, kjo zonë është në pronësi të Bashkisë Shkodër, transferuar pas miratimit të ligjit për pushtetin lokal.
Me keqardhje pohoj se në qoftë se do t’i referoheni dokumenteve do të sqaroheshit se:
- Sipërfaqja NUK do të ndryshojë destinacionin e saj, pra do të jetë sipërfaqe e klasifikuar pyjore dhe NUK do te hiqet nga fondi pyjor.
Gjithashtu, në qoftë se do të kishit profesionalizmin e duhur do tëkonstatonit që bazuar në studimin e zonës që propozohet, sipërfaqja nëngastra “a”, mbas studimit të kryer (bazuar në pikën 3 dhe 4 të Udhëzimit nr 1/2016) është ndarë në:
- nënparcela c, me sipërfaqe me bimësi pyjore
- nënparcela d, me sipërfaqe djerr
- nënparcela a me një sipërfaqetrungishte
Në dokumentacion përsëri nënvizohet se, sipas interesit, pjesë të kësaj zone do të jepen në përdorim me qira për: Vetëm për qëllime argëtimi, shtimin e bimësisë,, veprimtari pushimi e rekreative pa cënuar karakterin natyror dhe ekologjik të grumbullit pyjor të kësaj nënparcele, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria e saj.
Pra të nderuar, në qoftë se do të kishit patur mirësinë të informoheshit përmes dokumentacionit (të cilin në çdo moment e merrni falas), do të kishit përcjellë një informacion të saktë për lexuesit, por edhe për të gjithë ata që janë të interesuar të aplikojnë.
Në fund, pas argumentave teknike dhe lehtësisht të verifikueshme të paraqitura më sipër, është e qartë se synimi i artikullshkruesit nuk ka qenë ngritja e një problemi, por goditja politike e një bashkie të opozitës dhe kryetares së saj.
Është e sigurtë se Bashkia e Shkodrës, Këshilli Bashkiak dhe kryetarja e Bashkisë do të vazhdojnë si deri më sot të zbatojnë rigorozisht Kushtetutën dhe kuadrin ligjor. Nga ana tjetër, nuk do të ndalemi asnjëherë në përpjekjet tona të përbashkëta për të nxitur zhvillimin e territorit, thithjen e investimeve aq shumë të nevojshme në një territor si Bashkia e Shkodrës. Dhe do ta bëjmë të gjithë bashkë, si deri më sot, pa parë ngjyrimet partiake por vetëm interesin e komunitetit që përfaqësojmë. /Nga Voltana ADEMI, kryetare e Bashkisë së Shkodrës/