Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi rreth një vit më parë tronditi gjithë opinionin publik. Ajo u vra në mes të ditës në kryeqytet nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, i cli prej kohësh e kishte kërcënuar se do të kryente aktin mizor.
Ndonëse nga rrethanat se si e ka kryer veprën ai nuk do t’i shpëtonte dot dënimit të përjetshëm, autori i vrasjes së nënës së dy fëmijëve të tij ka kërkuar lirinë.
Kasemi është arrestuar më 31 gusht të vitit të kaluar dhe që atëherë qëndron i prangosur në qeli në pritje të vendimit.
Mirëpo së fundmi ai ka ankimuar në Apelin e Krimeve të Rënda një vendim të ndërmjetëm të trupës që po e gjykon në Shkallën e Parë.
Përmes ankimit, ai kundërshton vendimmarrjen e datës 13 Korrik 2018, që rrëzoi pretendimin e tij për humbje të fuqisë të masës “arrest në burg” dhe urdhërimin e lirimit.
Përmes avokatit, Fadil Kasemi ka pretenduar se pas kalimit të dosjes së tij për kompetencë nga Gjykata e Tiranës tek Krimet e Rënda, kjo gjykatë duhet të rivlerësonte masën e sigurisë.
Sipas tij, në kushtet kur nuk është bërë rivlerësim, masa ka rënë.
Kasemi po gjykohet në një proces të zakonshëm tek Krimet e Rënda. Ai nuk mundi të fitojë as gjykim të shkurtuar, pasi ndryshimet ligjore të fundit, përjashtuan të akuzuarit për krime në familje nga kjo e drejtë. /JOQ.al/