Megjithëse në kulmin e sezonit turistik, në Shirokë të Shkodres kanë nisur punimet për transformimin e kësaj zone.
3 miliardë lekë janë akorduar nga Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për t’i dhënë një tjetër imazh kësaj pike turistike mjaft të frekuentuar nga shkodranët, por edhe turistët vendas e të huaj.
Punimet pritet të zgjasin 1 vit ndërsa ndërhyrja prek një sipërfaqe prej 20 mijë meter/katror shesh, ku janë 13 ndërtime në plan për tu prishur në vijën liqenore, do të punohet në kanalizimet nëntokësore, më pas sheshi do të vishet me gurë e dru, do të vendoset ndriçimi, gjelbërimi dhe sinjalistika përkatese.
Qendra do të ketë një imazh ndryshe ku nuk do të mungojnë edhe elementet artistik që lidhen me peshkimin, traditë e zonës, apo sheshet e qendrimit.
I pagëzuar ndryshe si projekti “Lungo-lago”, ai synon që ashtu siç ndodhi me transformimin e Vlorës, të bëhet edhe me Shirokën.
Impakt tejet pozitiv parashikohet të japë edhe rikthimi i lundrimit në liqen si dhe hapja e pikës kufitare të Zogaj-Skje, që afron më shumë Shqipërinë me Malin e Zi.