Vilson Brahaj u arrestua si autor i vendosjes së eksplozivit në banesën e Xhelal Dacit, babait të Gazmir Dacit tre ditë më parë. 23-vjeçari me origjinë nga Kukësi dhe banues në Kamëz u arrestua nga policia, pasi u identifikua makina nga kamerat e sigurisë.
Ai deklaroi se kishte marrë 5 mijë euro për të vendosur tritolin, ndërsa nuk tregoi porositësin. Këto janë fotot e autorit Vilson Brahaj. Nga një kërkim në faqen e tij në rrjetet sociale, Brahaj shfaqet me armë zjarri, ndërsa ka publikuar edhe një foto me makinën e policisë.
Komunikata e Policisë për arrestimin
Zbardhet në kohë rekord nga Komisariati Nr 5, ngjarja e shpërthimit të një sasie tritoli në banesën e shtetasit XH.D në Kamëz. Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i vendosjes së lëndës eksplozive. Sekuestrohet automjeti me të cilin autori ka lëvizur dhe transportuar lëndën shpërthyese. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën “Martin Camaj” Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje: – Vilson Brahaj , 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë. Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D. Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”. Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera. Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Vilson Brahaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.