“Arrest me burg” është masa e sigurisë për dy personat e arrestuar, Pëllumb Kolbucaj dhe Abdullah Hardhiçaj (Pashaj), të cilët akuzohen si autorë të vjedhjes së banesës së 62-vjeçarit Agron Veseli, ku ndaj tij është ushtruar edhe dhunë. Seanca gjyqësore ndaj këtyre dy shtetasve është zhvilluar këtë të hënë me dyer të mbyllura, ndërkohë dy të akuzuarit kanë mohuar akuzën e ngritur ndaj tyre dhe madje kanë fajësuar policinë, që ka ushtruar dhunë mbi ta në momentin e ndalimit dhe marrjes në pyetje. Konkretisht, Kolbuçaj tha përpara trupës gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Irida Kacerja se ai është ndaluar tek kryqëzimi i Çinarit, pak metra larg banesës së grabitur, ndërsa po kthehej nga shëtitja e pasdites që bentë çdo ditë në pedonalen e Molos.
“Nuk kam patur kapuç në kokë siç thotë policia, por ma kanë vendosur ato dhe madje më kanë goditur, kam shenjat në trup. Unë kam rreth 100 krerë bagëti në shtëpi që merrem me to dhe nuk kam dalë për të kryer vjedhje. Të gjithë këtë po ma bën një oficer i policisë, i cili edhe më ka dhunuar. Po më bëjnë të vras veten. Thonë se e kam kryer në bashkëpunim me Abdullain, por ky nuk është në gjendje të qëndrojë as në këmbë. Dua të sqarohet e gjitha kjo, kaq kërkoj.” – u shpreh ai përpara gjykatës.
Ndërsa Abdullah Pashaj pranoi se ka qënë për shëtitje në pedonale me Kolbucaj, por nuk ka lidhje me ngjarjen. “Gjatë shëtitjes në pedonale kam gjetur një çantë ku brenda kishte 2 celulare, një palë targa makine dhe gjyslykë. Në orën 20.00 jam kthyer në shtëpi, ku celularët që ishin të fikur i vendosa në sirtar dhe targa me cantën në magazinë. Jam ulur më pas në klubin poshtë lagjes ku kam qëndruar deri në orën 23.30 dhe më pas jam ngjitur në shtëpi. Kemi folur me djalin që e kam jashtë Shqipërie dhe më pas kam qëndruar në kompjuter deri në mesnatë, kur më ka trokitur derë me gjithë fuqinë dhe u tremba. Pasi dola pashë që ishte policia dhe më tha hajde me ne. Me morën celularët, çantën dhe targat, si dhe më ofenduan. Kjo për mua nuk është normale, edhe sikur të jem me faj. Jo që unë i gjeta, e s’kanë lidhje me atë që thonë. Më bënë presion të them gjëra që nuk qëndrojnë.” – thekson ai.
Por, prokurorja e çeshtjes rrëzoj pretendimet e palëve, duke thënë se në çantë janë gjetur maska, doreza, një levë, celularët. Gjithashtu tha se egzistojnë përgjimet ambjentale mes dy të dyshuarve, si dhe prova të tjera, shtuar këtu faktit se ata janë të dënuar më parë sipas policisë po për vjedhje. Prokurorja gjithashtu tha se do të nisë një hetim dhe do të ketë ndjekje penale për punonjësit e policisë. Do të jenë në konsideratë të gjitha pretendimet e shtetasve në fjalë, duke zhvilluar hetime të hollësishme. Por avokati mbrojtës Agim Martini shtoj se çanta nuk beson që ka lidhje me ngjarjen dhe duke marrë parasysh moshën e Pashaj dhe faktin që Kolbucaj ka 2 vajza të mitura dhe gruan sërish shtatëzënë, ti jepej masë më e lehtë. Por gjykata rrëzoj këtë kërkese dhe la në fuqi arrestin me burg të kërkuar nga organi i akuzës.