Elisabeta Imeraj, deri më sot prokurore e Krimeve tw Rënda, do të drejtojë prokurorinë e Tiranës. Imeraj do të zëvendësojë në këtë post, prokurorin Dritan Rreshka i cili nuk mundi të kalojë sitën e vetingut, duke mos justifikuar burimin e pasurisë së tij. Mësohet se komandimi i Elisabeta Imerajt në krye të Prokurorisë së Tiranës, është bërë me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Elisabeta Imeraj, ka nisur detyrën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2004, dhe më pas në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Imeraj njihet si prokurore e çështjeve të mëdha, mes të cilave ajo e Shullazit, apo e 9 imamamëve të akuzuar për terrorizëm, për të cilët kërkoi 126 vjet burg.
Elisabeta Imeraj ishte gjithashtu edhe pjesë e grupit të hetuesve për dosjen ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, së bashku më prokurorët Valdimir Mara dhe Besim Hajdarmataj.