14.3 milion euro është vlera e investimit për Burgun e Reçit, i cili sot është përuruar me një ceremoni ku nuk mungonin personalitetet vendase dhe të huaja. Është një investim i plotë i Bashkimit Europian që nisi në kohën kur territori ishte nën juridiksionin e Komunës së Shkrelit e sot në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe.
Në ceremoninë e sotme, e pranishme ishte edhe Romana Vlahutin, ndoshta në një nga ceremonitë e fundit në mbyllje të mandatit në Shqipëri. Sipas ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, do të jetë “model për sa i përket trajtimit të të burgosurve në standarde europiane”. Parashikohet që në këtë shtëpi ndëshkimi nuk strehohen kokat e tmerrshme të krimit, por priten që të “rehatohen” krerët e korrupsionit shqiptar.
Punonjësit e këtij burgu i janë nënshtruar një testi të posaçëm njësoj si vettingu për gjykatësit e prokurorët. Ekspertë nga BE kanë marrë pjesë në monitorimin e procedurave të rekrutimit të stafit.
I gjithë burgu ndodhet në një vend mjaft strategjik, në një zonë të Malësisë së Madhe, ku nuk është e lehtë të shkosh dhe arratisesh. Është vend i izoluar dhe sipërfaqja ku shtrihet është totalisht 14 hektarë. Procedurat për ndërtimin e tij kanë nisur që nga viti 2012, por punimet zgjatën shumë.
Përveç qelive normale, burgu ka edhe “apartamente të posaçme”, të njëjta me burgun e Hagës, ku zakonisht shkojnë politikanë, iushtarakë apo zyrtarë të rëndësishëm.
Një forcë e posaçme dhe e armatosur policore është krijuar për të ruajtur burgun nga trazirat apo sulmet. Deri tani flitet që numri i të punësuarve mund të shkojë më shumë se 400 persona, por ende asgjë nuk është vendosur.
Burgu, përveç qelive, dhomave të takimit, atyre të ajrimit është i pajisur me hapësira të shumta për kohën e lirë që nga fushat e futbollit, sallat e bilardos, pingpongut por edhe palestra e lojrave me dorë.
Brenda burgut pritet të instalohen edhe shërbime të posaçme të riteve fetare sipas përkatësive të të burgosueve. Pritet pas konstituimit të tij, shteti në bashkëpunim edhe me komunitetet fetare në vend, të emërojë klerikët përkatës që do të jenë full- time aty. /ShkodraWeb/