Një tjetër prokuror kalon me sukses Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Gentian Osmanin, një nga gjashtë prokurorët që po hetojnë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“KPK e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në përfundim të seancës së rivlerësimit kjo trupë gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani”, deklaroi relatorja e çështjes Firdes Shuli.
Seanca dëgjimore u zhvillua dy ditë më parë, ndërsa Osmani zgjodhi të ballafaqohej personalisht me institucionit e vettingut.
Prokurori Osmani kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai ka qenë pjesë e treshes së prokurorëve, që iu drejtuan vitin që shkoi Kuvendit për arrestimin e Tahirit.
E vetmja pikëpyetje që u ngrit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit lidhur me pasurinë e tij, ishte shlyerja e një huaje marrë kunatit të tij, për të cilën komisioni ngriti dyshime.
Por Osmani dha shpjegime për të rrezuar gjetjet e trupës gjykuese.
Magjistrati rezultoi pa probleme në dy shtyllat e tjera, figura morale e aftësitë profesionale. Në përfundim Osmani kërkoi konfirmimin në detyrë.