Rruga Qafë Thore- Theth do të nis pranverën që vjen. Lajmi tanimë është zyrtar dhe është publikuar as më pak e as më shumë por nga numri 2 i qeverisë shqiptare Senida Mesi në Facebook. Zëvëndëskryeministja shkodrane ka publikuar edhe disa foto se si parashikohet të jetë ky aks pas përfundimit. Mesi shkruan: “Rruga Qafë Thore – Theth, 16 km që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën parashikohet të fillojë në pranverën e vitit të ardhshëm.
Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.
Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.
Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë. #MasteplaniIAlpeve #Theth #Zhvillimiqëndrueshëm ?? Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, përfundon shënimin e saj në Facebook Mesi.
Mbase mund të jetë rastësi apo arsye të tjera teknike, por fillimi në pranverën e ardhshme, kur dihet se 2019- a është vit zgjedhjesh dhe vetë Mesi përflitet si kandidate për Bashkinë e Shkodrës nga PS-ja përballë Voltana Ademit të PD-së, të lë shijen e një “gjetje elektorale”, aq më tepër kur postimi si rradhë herë, nuk bëhet nga faqja e kryeministrit Rama, por zëvendëses së tij shkodrane. Pasi a ka lënë në “të thatë” Bashkinë e Shkodrës, qeveria e majtë tenton ta josh me një projekt për Thehin, vetëm pak muaj para zgjedhjeve vendore të 2019- ës. Ndërkohë, duhet kujtuar se investitor i projektit është Banka Botërore./ShkodraWeb/