Janë ditët e para të gushtit, moti është mjaft i përshtatshëm, turistë hyjnë shumë në Shqipëri por Velipoja ka thuajse gjysmën e atyre që duhet të ketë normalisht. Pohimi vjen nga vetë Pjerin Jakaj, shefi i Operatorëve Turistikë të Velipojës, i cili e pranon publikisht përgjysmimin e turistëve në pikën turistike më të preferuar të paktën të Veriorëve. E kur themi veriorë, natyrisht përfshijmë edhe Kosovën. Normalisht Jakaj ka shpjegimin e tij për këtë rënie drastike në Velipojë, teksa ministri i Turizmit Klosi thotë se në rang vendi ka një trend rritje të turistëve me 30%. Sipas tij, mungesa e investimeve në këtë zonë është arsyeja kryesore.
Mjafton vetëm një pyetje retorike dhe kjo arsye hidhet poshtë: Ka patur më shumë investime vjet, pra në 2017? Nëse ka patur, ku shkuan sivjet- kush i dëmtoi?
Për të gjetur arsyet e verteta të këtij përgjysmimi, mjafton të futesh në rrjete sociale, sidomos në Facebook. Arsyeja kryesore janë çmimet e çmendura, pa thojza fare. Në tabela reklamuese thuhet 25 mijë lekë të vjetra një dhomë e në fakt nuk mund ta marrësh poshtë 40- 50 mijë lekëve. Kjo, për të shmangur pagesën e plotë e të saktë të taksave. Nëse kërkon edhe kondicioner, çmimi rritet. Po ashtu, rritje të ndjeshme të çmimeve kanë edhe lokalet, baret e restorantet e zonës. Nga ana tjetër, për kosovarët ka një trajtim tjetër nga shqiptarët e Shqipërisë. Çmimet për “vëllezërit” tanë, janë më të larta.
E çfarë po ndodh këto ditë që ndërrohen edhe “turnet” e plazhit? Kosovarët përmes “Rrugës së Kombit” po vijnë në Shqipëri, masivisht ashtu siç edhe vjet. Po nuk futen më tek kthesa e “Harkut të Berdicës” drejt Velipojës, por vazhdojnë edhe disa qindra metra në drejtim të Shkodrës, kthehen majtas mbi urën e re të Bunës e vazhdojnë nga Muriqani për në Ulqin. I ashtëquajturi “turizëm patriotik” për faj të kosovarëve apo operatorëve turistikë këtu, ka përfunduar. Gjithsesi, faj shqiptarësh mbetet.
Të flasësh për kushtet e Velipojës dhe ti krahasosh me ato të Ulqinit sa i takon asaj çfarë mund të të ofrojë veç plazhit, është e kotë. Kështu që ne Veriorët e Shqipërisë po ndjekim shembullin e Jugorëve po të Shqipërisë, duke ngritur çmimet në stratosferë. Mirëpo harrojmë diçka: Jugu është në kufi me një vend të BE-së, që mban prej 28 vitesh 1 milion shqiptarë që kthehen në verë për pushime dhe çfarë është më e rëndësishmja: qeveritë shqiptare ka 20 vjet që investojnë në atë rajon, me të cilin në fakt natyra është treguar më bujar se me Velipojën. Ky sezon iku, të paktën mendoni për sezonin tjetër…/ShkodraWeb/