Ende nuk ka asnjë autor të arrestuar për ekzekutimin e 53 vjeçarit Fatbardh Lici në Shkodër. Sipas burimeve nga grupi hetimor mjeti që është përdorur nga atentatori dyshohet se është grabitur dy javë më parë në kryeqytet. Pista që po hetohet për rastin është hakmarrja.
Detaje të reja dalin në dritë për atentatin ndaj 53 vjeçarit Fatbardh Liçi. Në orën 7 e 10 të ditës së premte në sallën operative të Shkodrës mbërriti telefonata se në zonën e Dobraçit ndodhet një mjet duke u djegur.
Ndërsa 5 minuta më vonë një tjetër telefonatë që në Unazën Lindore, në zonën e quajtur ish Poçeria kishte ndodhur një vrasje. Grupet e policisë u drejtuan në dy vendngjarje.
Mjeti që u gjet i djegur rezulton i vjedhur në Tiranë rreth 2 javë më parë dhe dyshohet të jetë përdorur në vrasjen e 53 vjeçarit Fatbardh Liçi.
Nga të dhënat e siguruara nga grupi hetimor, 53 vjeçari ka shkuar në lokal rreth orës 6 e 45 minuta dhe rreth 5 minuta më pas është ekzekutuar nga një person me maskë. Ky i fundit pasi ka qëlluar rreth 15 herë në drejtim të tij është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar 18 persona në komisariat, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë liruar. E vetmja pistë që po hetohet është hakmarrja, pasi 53 vjeçari ka qenë i dyshuar për vrasjen e Astrit Kurmemajt, ngjarje e ndodhur 2011-ën. /abcnews.al/