Mëngjesi i sotëm ka qenë më i trishti për familjen e 32- vjeçarit Gentian Toma dhe atë të Robert Ejllit, 25 vjeç. Të dy miqtë që udhëtonin në makinën “Benz” me targa AA 929 FF të drejtuar nga Toma, humbën tragjikisht jetën në një aksident rrugor në superstradën Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Dajç.
Mësohet se dy të rinjtë rreth orës 01:40 kur edhe ndodhi aksidenti ishin vetëm 5 kilometra larg fshatit të tyre Mabë, tek i cili nuk mundën të kthehen më të gjallë.
Gentian Toma, për të cilën bënë postime prekëse edhe dy deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Gjetan Gjetani është aktivist i Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës. Ai ka mbajtur më herët postin e Shefit të shitjeve në njësinë e OSHEE-së në Lezhë, ndërsa aktualisht punonte si specialist pranë bordit të kullimit në Bashkinë e Lezhës. Nga ana tjetër, miku i tij, 25-vjeçari Robert Ejlli kishte një biznes privat në zonë.
Policia njoftoi se makina me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion, ndërsa burimet saktësuan se shkak për aksidentin mund të jetë bërë mungesa e dritave në pjesën e pasme të kamionit. Në errërisë e sipër drejtuesi e ka pasur të pamundur të shquajë që para kishte një mjet dhe është përplasur me të.
Pritet që me daljen e ekspertizës të saktësohet edhe shkaku i aksidentit ku vdiqën dy miqtë.