Mjekja shqiptare Majlinda Lako pjesë e një grupi shkencëtarësh britanikë janë kthyer në shpresë për të verbërit në mbarë botën, pasi kanë zbuluar retinën artificiale që mund të rikthejë shikimin. Në një prononcim ekskluziv për Report Tv, Lako ka treguar të gjitha detajet e eksperimentit, që iu riktheu shikimin disa minjve të verbër.
Lako, pjesë e grupit të shkencëtarëve të Institutit Nacional të Shëndetësisë është e sigurt kjo metodë në të ardhmen mund të përdoret me sukses edhe tek njerëzit e verbër.
“Unë punoj që nga viti 2003 në New Castel University. Bashkë me bashkëshortin drejtojmë një ekip kërkimor me 25 shkencëtarë. Ne kemi bërë një kërkim që na ka zgjatur me dhjetë vite, dhe kemi arritur të marrim disa qeliza embrionale, psh. të lëkurës, dhe me disa manipulime gjenetike kemi arritur t’i riprodhojmë ato. Në këtë rast, testimet tona kanë arritur të prodhojnë tërëisht retinën artificiale e cila i përgjigjet dritës sikundërse një foshnjë e sapo lindur. E kemi eksperimentuar tek minjtë sepse ka ngjashmëri me reflekset e njeriut. Them se me një punë 5-10 vjecare ne mund ta aplikojmë këtë edhe tek njerëzit.” thotë Prof. Majlinda Lako.
Ndërkohë, mjekja me sukses botëror jep këshilla për qytetarët se si mund të kujdesen për shikimin e tyre.
“Së pari, kontrolli i pemës së familjes. Nëse kemi të afërm me probleme me shikimin, duhet të shkojmë tek mjeku. Shumica e problemeve vijnë nga fakti sepse pacientët shkojnë tek mjeku kur është shumë vonë e nuk ka më asgjë për tu bërë. E dyta është mos pirja e duhanit, dhe e treta kontrolli i dietës. Përdorni sa më shumë karrota e brokoli si ushqime që ndihmojnë shumë shikimin.”, vijon Lako.