Sigurisht që situata e kohëve të fundit në Shkodër është rënduar. Vrasjet kanë bërë bujë dhe as që diskutohet se policia në qytetin e madh verior është e pafuqishme! Nuk është fjala të parandalohen thjeshtë vrasjet, sepse ato edhe në shumë vende të sofistikuara të botës kanë vështirësi të mëdha të ndalohen! Duhen parandaluar me forcën e veprimit dhe kontrollonin e territorit nga ana e policisë dhe për më tepër kur ndodhin, forca e policisë dhe agjensive gjurmuese dhe zbuluese, duhet ti tregojë komunitetit se vepron! Kjo nuk ndodh! Kjo është fatkeqësi! Por dhe kjo e ka një emër dhe një fillesë! Ka një fillesë që është dhe duhet të fillojë “ç’bandizimi” i disa segmenteve të partive, të cilat kanë përgjegjësi të madhe mbi modelet e tyre të formimit, komunikimit, aferave dhe biznesit të pa ndershëm! Të tilla organizime të shëmtuara afrojnë dhe mbrojnë shpesh herë individë, familje dhe territore të shëmtuara krimi! Por nuk e kam fjalën këtu!
Absolutisht ka shumë në polici, në partira dhe në pushtetet e ndryshme në Shkodër, që i dinë dhe i kanë të qarta problemet! Nuk duan ti zgjidhin dhe ky është pastaj problem i madh i politikës dhe pushteteve të ndryshme në përgjithësi te ne! E kam fjalën te llapaqenët, llafazanët, dashakeqët e qytetit të madh të veriut! Kësaj situate, për ti bërë “scoob”, për të nxjerrë përfitime si mediatike dhe tipikisht imorale ekonomike, për të shfryrë dhe inate idiote krahinore, politike dhe folklorike me Shkodrën i shtojnë dhe “Palermon”, duke mos ditur as historinë e këtij qyteti dhe as historinë e Shkodrës! E krahasojnë Shkodrën me Palermon, sepse duan ta zbrazin, ta aneksojnë në periferi, retrokulturalizojnë, ta ulin kulturalisht dhe financiarisht, por dhe strategjikisht! E krahasojnë me “Palermon” për ta injoruar dhe bërë “qoshen” e krimit në Shqipëri, ku “mafia bën namin dhe të vret”! Kanë argumentet e fundit dhe bëjnë krahasime jo thjesht pa vend, por keqdashëse dhe kriminale, për përfitim sa politik dhe ekonomik! E bëjnë televizione lumpenësh në Tiranë, ndonjë idiot në Shkodër dhe padyshim të interesuarit e shumtë kryesisht në Tiranë, për ta nxjerrë jashtë strategjive ekonomike si të shtetit dhe biznesit të madh, turizmit në veçanti! Po po, këtij të fundit me qëllimin që përqendrimi i tij, arritjet e tij, turistët e tij, të mos jenë aty, në Shkodër, por gjetkë!
Nuk njohin Shkodrën! Gjithmonë kanë ndodhur vrasje në Shkodër! Po dhe vrasje aty për aty dhe të menduara mirë! Shkodra e ka zakon që nuk duron shumë gjatë kapadainjtë! Edhe dikur dhe dje dhe sot! Shkodra është kapadaie – vetë! Vetëm diktatura ka ndalur pjesërisht vrasjen, biles dhe në atë koha janë tre raste të vërteta në Shkodër! Por në Shkodër nuk mund të ketë Palermo dhe as “Cosa Nostra”! Nuk duron qyteti, individi dhe shoqëria krijimin e një gjëje të tillë! Ka sigurisht çibanë që janë bishta partie politike, ose mbrohen shpesh herë prej tyre, por nuk mund të ketë “Cosa Nostra”?! Sepse kategoria, tipizimi dhe klasifikimi i krimit është krejtësisht i ndryshëm nga Shkodra, në Palermon e famshme të “Cosa Nostra”!?
Tani, historinë tragjike të gjakut, heronjve dhe viktimave të luftës së madhe kundra “Cosa Nostra” kundra rrënjëve të saj, të dëshmorëve që kryesisht janë shtetarë, të zgjedhur të popullit, politikanë, prokurorë, gjykatës, policisë, karabinierë, sindikalistë, religjionarë, njerëz të pushtetit në luftë me mafien, po dhe gazetarë të shumtë në luftë të hapur me të – ta transportosh e “transplantosh” në Shkodër, do të thotë se: ose je idiot, ose sharlantan e dashakeqës për qytetin verior! Shkodra ka nevojë për të vendosur rregullin dhe larguar disa grupe krimi që prej kohe janë “ruajtur” nga politika, por Shkodra nuk është Palermo! I kanë deklaruar si zoti Lu dhe ministri i Brendshëm me numër familjet e tilla për Shkodrën dhe dihen, por nuk duan! Por duhet të alarmohen, të vendosen me seriozitet në punë, për të mos lejuar rëndimin e situatës më tej! Gjithë respektin qytetit siçilian të bukur, fantastik e bujar, por sidomos hero të Palermos, por Shkodra nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë Palermo! Ajo është ndryshe, krijuar ndryshe dhe padyshim “antropologjikisht ndryshe” si formim dhe jetësim, së paku prej disa shekujsh! Dashakeqët këtë zanat kanë, por ata që kanë pushtet politik dhe administrativ, padyshim duhet të shqetësohen, sepse me Shkodrën vjen dita dhe i “lajnë hesapet politikisht dhe filozofikisht” si parti dhe si individë! /Nga Besi BEKTESHI/