Kuvendi ishte i shkretë, ndërsa Opozita e sfidonte nga Shkodra, me emra dhe mbiemra kriminelësh dhe keqbërësish që janë miqtë e famshëm të Shumicës së sotme parlamentare dhe qeverisëse.
Shumica sot përfaqsohej nga Gramozi dhe nga Taulanti, që fliste kundër krimit dhe trafikut, duke qënë ende në të freskët të asaj që i ndodhi në Greqi, ca ditë më parë… Ndërkohë që KM-ja, në një mbledhje të trishtuar sa më ska, u fliste mësuesve të sjellur aty me pahir a me të ndjellur, për suksesin e madh të librave shkollorë që paska shpërndarë falas këtë vit, që Qeveria e tij shpëtimtare.
Pastaj Km-ja, mbllaçiti ca fjalë të rrëmujshme që tekstet e librave shkollorë, janë këtë viti më të mirë dhe më të saktë se kishin qenë më parë skandalozë…
Ka 5 vjet KM-ja që mbarështron Ministrinë e Arësimit, kujt i hakërrehet që nuk e bëri vetë më parë?
Në kapsllëk të rezultateve, e mbllaçiti edhe Taulanti këtë të librave shkollorë, ndërsa KM-ja, e bëri dy herë të njëjtën mbllaçitje, ndërkohë që njerëzit po vriten si mizat me plumb të nxehtë, pa folur për aksidentet, pa folur për rrugët e munguara, pa folur që nuk ka një nënkalim në hyrje të Tiranës, apo asnjë kilometër hekurudhë dhe asnjë investim për të qenë. Dhe lista e mosbërjeve është shumë e gjatë, ndërsa mospërmbajtja e krimit të organizuar, në ndëshkime dhe larje hesapesh, është shpërthyese dhe terrorizuese, nga Shkodra deri në Vlorë.
Si vazhdon më tej kjo punë, as vetë KM-ja nuk e di ta shthurrë, lojën e rrezikshme me njerëz të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm, që ka vetëthurur. Me iluzionin se mund të zbusë edhe ujqit, që ata të hanë edhe nga dora e tij, i ka mësuar ata të harbohen sit ë plotëfuqishëm.
Por ujku nuk ngopet me gjak, barinjtë rrëfenjë se kur ujku, bandit apo oligark qoftë, kur ujku pra, bie në kopenë e dhënve dhe e zë gjaku, mbyt 100 kokë dhe merr me vete vetëm 1. Se po të përllogarisësh pasurinë e ujqërve tanë, banditë apo oligarkë qofshin, kanë sot aq para e prona, sa të hanë e të plasin së ngrëni, e të jetojnë në lluks, për dhjetë breza, por përsëri etja e parasë, si etja e gjakut për vampirët u zhurit ende shpirtin.
KM-ja, nuk e fsheh ankthin dhe shqetësimin, po i ka mbetur në dorë vetëm të vrasë mizat e kufomave të krimit dhe të na rrëfejë kapsllëkun e vet, duke mbllaçitur fraza pa shprehje për librat e fillores, sikur të kish çliruar për së dyti Shqipërinë. /Nga Artur ZHEJI, 360grade.al/