Mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës kanë paralajmëruar një deklaratë për mediat në orën 12.30 të ditës së sotme. Njoftimi ka ardhur pas arrestimit të ish- drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, mjekëve e farmacistëve pas urdhër- arrestit të Prokurorisë së Shkodrës. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera në raste të ngjashme, deklarata për mediat por edhe tubimi i mundshëm, do të jetë në mbështetje të kolegëve të arrestuar apo të shpallur në kërkim.
Komuniteti i mjekëve të Shkodrës ka qenë gjithmonë aktiv në mbrojtje të kolegëve, qoftë në raste të ngjashme si ky i fundit, ashtu edhe kur mjekë të ndyshëm kanë rënë pre e dhunës në ushtrim të detyrës. Në disa raste, ata kanë paralajmëruar edhe masa ekstreme, si mos realizimi i vizitave për pacientëtë, ndërsa ditën e sotme është e pritshme të ketë edhe një përshkallëzim më të madh. Aq më shumë, kur në qendër të veprimeve të Prokurorisë dhe policisë ka qenë Laboratori i Hemodinamikës, një nga më të suksesshmit e spitalit, laaborator që drejtohet nga Dr. Luan Dragusha, i cili la SHBA-të për Shkodrën.
Nuk është çudi që, pas përfundimit të kalvarit të mundshëm me drejtësinë shqiptare, vetë dr. Dragusha të largohet nga Shkodra, madje edhe Shqipëria meqenëse nuk i kanë munguar asnjëherë ofertat. Këtë e pohojnë nën zë kolegë e të njohur të mjekut, i cili në rang kombëtar njihet për aftësitë e tij profesionale. Të njëjtat burime pohojnë se e gjithë historia më e fundit, ka nisur edhe për shkak të pakënaqësive për drejtimin e Laboratorit të Hemodinamikës nga Dr. Luan Dragusha. /ShkodraWeb/