Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka urdhëruar hetim disiplinor ndaj prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit për dosjen e Shullazit. Bëhet fjalë për prokurorët: Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj. Ditën e djeshme prokurorët e Krimeve të Rënda janë rebeluar dhe kanë braktisur mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e tyre, Donika Prela.
Burimet bëjnë me dije se tema e mbledhjes ishte zëvendësimi i prokurorit Eneid Nakuçi në dosjen “Shullazi”. Por ky zëvëndësim nuk është pritur mirë nga prokurorët të cilët u shprehën se e zëvendësimi i Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.
Prej 3 javësh pretenca është bllokuar pasi Nakuçi ka ikur jashtë shtetit me pretendimin se është sëmurë, ndërsa Elisabeta Imeraj është bërë drejtuese tek Tirana.
Seanca e radhës për dosjen ‘Shullazi’ është parashikuar për datë 25 shtator. Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës.
Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.