Legjenda e muzikës shqiptare, rekordmeni i skenës dhe festivaleve, “Mjeshtri i Madh”, Tonin Tërshana, është ndarë nga jeta një vit më parë, vetëm dy javë pasi Bashkia Tiranë i dha një banesë, në moshën 68-vjeçare. Kaq mjafton për të kuptuar gjithçka nga jeta e nje ylli të këngës, ku në çdo vend të botës do të ishte ndër miliarderët.
Lindur në Shkodër në vitin 1947, këngëtari Tonin Tërshana përbën një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutimin e parë, në Festivalin e 4-t në Radio-Tirana, me këngën “Kur vjen pranvera” me muzikë të Pjetër Gacit dhe tekstin e Fatos Arapit, artisti merr çmimin e parë kur ishte vetëm 16 vjeç.
Tonin Tërshana ka fituar çmimin e parë edhe në Festivalin e 11-të të RTVSH.
Këngëtari i skenës dhe festivaleve të RTSH-së, mjaft i pëlqyer nga publiku për zërin e tij melodioz dhe emocionin e veçantë që transmetonte, ka marrë pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar 4 çmime të para e duke u bërë keshtu një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale.
Mes interpetimeve të shumta, këngët më të njohura dhe më të pëlqyera te këngëtarit janë “Erdhi pranvera”, “Kenga e nenes”, “Fishekzjare në qiellin blu”, “Kur vjen pranvera”, “Lumturia nuk dhurohet”, “Vajzë moj, lule moj” etj.
Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.