Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kukës, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Feim Lugja, 20 vjeç, banues në fshatin Kalimash. Arrestimi i tij u bë pasi në datë 23.09.2018, në fshatin Kalimash, ka vendosur një sasi lënde plasëse në një shtyllë tensioni që furnizonte me energji elektrike ish-fabrikën e Kromit, ku për pasojë është dëmtuar shtylla.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet 32 m fitil zjarr-përcjellës, si dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, Cannabis Sattiva.
Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 6 m fitil zjarr-përcjellës, i ngjashëm me atë që u gjet në banesën e tij.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prodhimi, mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.