Të gjithë e dëgjuam sot. Bëni fëmijë, sa më shumë fëmijë, por jë më shumë se tre! Për të parin do të merrni bonus nga shteti 400 mijë lekë. Si baba i ri në pritje, Erion Veliaj e mirëpriti lajmin. Sidomos për 400 mijë lejkët, sepse ka shumë, po shumë nevojë për to. Fëmija i dytë, do të paguhet me 800 mijë lekë dhe nuk do të ishte keq, ta bënit në krye të vitit. Ndoshta pampersat do të mund ti përballoni për të parin, ndoshta edhe gjysmën e kostos për të dytin. Por bonusi më i madh, do të jetë fëmija i tretë. Nuk do të merrni 2- fishin e fëmijës së dytë, por 3- fishin e fëmijës së parë. Deri këtu eci me fantazinë e tij kryeministri ynë, i cili pak a shumë, me fjalë, po përpiqet të nxisë rritjen e popullsisë në vend, edhe pse për vete është defiçitar në këtë drejtim…
Po çfarë ndodh me ata që bëjnë edhe të katërtin, ata që bëjnë binjakë, trinjakë…sa do të jetë bonusi? Ngjan si shaka, por pyetjet një nga një dhe të gjith bashkë, qëndrojnë. Që Rama ka kopjuar propozimet e Ben Blushit para zgjedhjeve të 2017- ët, nuk ka asnjë dyshim. Por të marrim rastin, kur një çift i ri shqiptar, i përgjigjet thirrjes “patriotike” të kryeministrit dhe në tre vjet (pak a ashumë aq sa i kanë mbetur mandat Ramës), sjell në jetë 3 fëmijë. Do të fitonte plot 2.4 milion nga shteti. Të vjetra e… I bie për dy vite, do ia dilte (mbase) të paguante pampersat e dy fëmijëve. Po për më shumë, si dhe sa do ti përgjigjet kryemnistri apo shteti?!
Ata që janë prindër dhe i rrisin fëmijët me djersën e ballit, e dinë se nuk është e lehtë të rrisësh një fëmijë. Në Shkodër madje, ka edhe një shprehje mjaft domethënëse që sipas gjasave, edhe pse ishte “nip Shkodre” deri para zgjedhjeve të 2013- ës, sipas gjasave nuk e di. “Me rrit nji fëmi, asht si me hap nji pus me gjylpan”, thuhet në Shkodër. Por është e qartë se Rama, siç edhe shumë të tjerë si ai këto 28 vite, maksimumi i sforcimit për fëmijët, ka qenë kënaqësia e raportit me bashkëshortet apo bashkëjetueset… Për vazhdimin, ka menduar barku i nënës e më vonë dadot, shërbëtorët, shpferët, badigardët e me rradhë.
Si mund të marrësh guximin ti sugjerosh një çifti që, për 400 mijë lekë të sjellë në jetë një fëmijë?! Kush është ai që i garanton punën dinjitoze dhe të vazhdueshme kësaj familje të re, kush mund ti garantojë një strehë mbi kokë, kush mund t’ia garantojë jetën e qetë një fëmije që lind sot?! Sidomos në këtë realitet, edhe nëse kryeministri e merr në stafin e tij në qeveri…sepse pasi ai të ikë, partia që vjen pas tij do ta spastrojë, siç edhe ka ndodhur.
Si shumë të tjera, edhe kjo mund të konsiderohet lajthitje e kryeministrit të vendit tim. Në fakt, është thirrje patriotike, por jo për një vend me njëmijëenjë telashe si Shqipëria. Do të ishte më mirë që Rama të bënte përpjekje për standarte jetese, për minimumin jetik që premtoi se do ta zyrtarizonte dhe do ta kalonte me pagesat e Ndihmës Ekonomike apo Paaftësisë. Ky apel i Ramës, natyrisht nuk do të ketë ndikim. Jo se shqiptarët nuk duan, por i kanë mundësitë e imponuara nga realiteti që ka ndikuar ta zymtësojë edhe Edi Rama, siç edhe paraardhësit. /ShkodraWeb/