Njësia Administrative Rrethina në Bashkinë e Shkodrës ishte ndalesa e rradhës e panaireve promovuese të resurseve në territor. Dhjetra fermerë, artizanë, organizata por edhe krijues letrar shpalosën vlerat e gjithanëshme të kësaj njësie përbërëse të Bashkisë së madhe të Shkodrës.
Në fjalën e saj përshendetëse, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi është ndalur në rëndësinë e kësaj nisme, e cila synon promovimin e vlerave dhe resurseve të trashëgimisë kulturore, natyrore dhe produkteve të territorit. Shkurtimisht, kryebashkiakja është ndalur edhe në investimet tashmë të përfunduara, ato në proces dhe të tjera që planifikohen për vitin 2019 në këtë territor. Zj. Ademi ka folur edhe për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, i cili menjëherë, nga dita e sotme ka nisur të shpërndahet në ato zona ku mungon, përmes autobotëve të Ujësjellësit Shkodër.
Në vijim, një program artistik nga artistët e zonës dhe në fund vizita në stendat e panairit, ku nuk munguan as gatimet tradicionale të zonës që u shijuan nga të pranishmit.