Reparti MZSH Shkodër i ka shpëtuar jetën një personi i cili kishte rënë në një pus. Mësohet se një shtetas në fshatin Grudë e Re të NJA Rrethina të Bashkisë Shkodër kishte rënë në një pus rreth 35-40 metra të thellë. Sapo kanë marrë lajmin, forcat e MZSH Shkodër janë drejtuar drejt vendngjarjes. Pas rreth 30 minutave përpjekje, falë ndërhyrjes së punonjësve të këtij reparti, është bërë e mundur që shtetasi i rënë në pus të nxirret i gjallë nga efektivët zjarrëfikës. Po ashtu, shtetasi është nisur me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme ose kujdes mjekësor nëse gjykohet e nevojshme.
Para disa ditëve, dy persona nip e dajë, mbetën të vdekur në një pus në Torovicë të Lezhës dhe forcat zjarrëfikëse nuk mundën të bënin asgjë. /ShkodraWeb/