Para disa javëve bëri bujë të madhe kalimi në bllok i trupës së “Apartementi 2XL” nga Vizion Plus në Klan TV. Pas shumë viteve dhe sukseseve të padiskutueshme të trupës së udhëhequr nga aktori shkodran Jul Deda, po nis realizimi i puntatës së parë të një tjetër spektakli të ngjashëm, që thotë shumë edhe nga titulli “Duplex”. Ka qenë vetë Jul Deda, ai që ka publikuar foton e parë, të serisë së parë duke ruajtur traditën e paraprezantimit të shfaqjes siç e bënte edhe në Vizion Plus. Ai ka zbuluar edhe moton e shfaqjes së parë, që deri diku do të personifikojë edhe gjithë “Duplex” këtë sezon. Mbi bluzën e veshur nga Juli shkruhet “Shtëpi e re, zakone të vjetra”. Ashtu siç edhe gjatë viteve në Vizion Plus, Jul Deda paralajmëron se nuk do të mungojë humori, batutat e improvizimet sepse nuk ka ndryshuar asgjë: E gjithë trupa, madje edhe Turjan Hyska është pjesë e televizionit kombëtar Klan. Ky i fundit përbën edhe një bonus në vete, i distancuar qartë prej vitesh në zhanrin e spektakleve të mëdha televizive.
Siç njofton edhe Juli, do të jenë mjediset e TEG ku do të shfaqet spektakli për shikuesit e sallës, ndërsa spektakli për teleshikuesit do të jetë…të shtunën, nuk e besojmë. Aty është “çimentuar” Ermal Mamaqi me “Xing”, aq më shumë kur ai me Julin janë miq të mirë prej vitesh tanimë. Sipas gjasave, sfida do të jetë më e madhe…të dielën ku “Duplex” do të përballen me “Portokallinë”, e cila mesa duket do të fillojë pas spektaklit të Julit në TV Klan.
Gjithsesi ne bëjmë tifo dhe vëmë bast për suksesin e shkodranit tonë Julian Deda me trupën dhe urojmë suksese në shtëpinë e re, por me zakone të vjetra… /ShkodraWeb/