Një 29-vjeçar është arrestuar natën e kaluar në Lezhë, ndërsa në makinë iu gjetën 4 mina me telekomandë. I riu është Endrit Vejsiu, vëllai i prezantueses së njohur Alketa Vejsiu. Ai ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Milot – Lezhë, në mjetin e tij tip ‘Opel’, ndërsa në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë. Arrestimin e të riut e bëri të ditur në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Lezhës Ferdinand Mara.
Në njoftimin e tij Mara tha:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditje e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës, kanë finalizuar operacionin e koduar ‘Telekomanda’.Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe ‘Trafikim i lëndëve plasëse.”