Çdo ditë nga pyjet në territorin e Bashkisë së Shkodrës dalin mesatarisht, tëprera në mënyrë të kundraligjshme, 80 m3 lëndë drusore. Çdo ditë, duke shkelur ligjin, kundravajtësit fitojnë në kurrizin e Bashkisë Shkodër 4 milion lekë të vjetra. Trafikantët, nëse mund të quhen të tillë, kanë siguruar mjete transporti që lëvizin nga 15 deri në 20m3 lëndë drusore. Ka mbi 100 vite që nuk është bërë një masakër e tillë në pyjet e kësaj zone.
Kjo është masakra mjedisore, por edhe dëmi i pallogaritshëm financiar që po i bëhet Bashkisë së Shkodrës dhe banorëve të saj. Situata paraqitet në kufijtë e katastrofës në zonat e Shoshit dhe Pultit, por më pak edhe në Shalë dhe Postribë. Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës ka dërguar me dhjetra shkresa në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe në Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve e Ujrave Shkodër, por deri tani nuk ka patur anjë reagim. Pjesa më e demtuar i përket Shoshit, vendet e quajtura Balza dhe Mali i Shoshit në një masakër që ka rreth 6 muaj që vazhdon. Numri i trafikantëve është relativisht i vogël, por ata janë pajisur me mjete dhe kryejnë aktivitet të paligjshëm në vazhdimësi.
Nga ana e saj, më shumë se një herë, Bashkia e Shkodrës e ka deklaruar zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për shfrytëzimin e pyjeve, qoftë për individë apo firma private. Po ashtu, në disa raste është bërë e mundur të identifikohen dhe të procedohen individë të pandërgjegjshëm. Por ky është një proces në vijimësi dhe duhet detyrimisht angazhimi i Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve e Ujrave Shkodër. Sigurisht, çrrënjosja e kultivimit të kanabisit është një prioritet i policisë dhe i shtetit në përgjithësi, por edhe i tillë duhet të jetë edhe ndalimi e ndëshkimi i trafikantëve të lëndës drusore. Edhe ai është krim, me pasoja për sot por sidomos për nesër. Duhet reaguar fuqishëm sa nuk është vonë. /ShkodraWeb/