Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paditur në prokurori kryeministrin Edi Rama. Sipas një informacioni që bëhet i ditur nga zyra e shtypit të PD-së, mësohet se dy forcat opozitare kanë gati dosjen dhe padia e kanë dorëzuar me anë të kryetarët e grupeve parlamentare Edmond Spaho dhe Petrit Vasili tek Prokuroria e Tiranës. Mësohet se Rama është kallëzuar penalisht në Prokurori për pengimin e zbulimit të së vërtetës, dhe për kërcënimin që bëri kundër nënkomisar Emiliano Nuhut. Po ashtu në kallëzimin penal shtohet dhe “Kërcënimi për shkak të detyrës”.
Pas dorëzimit të kallëzimit, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho sqaroi këtë kallëzim dhe tha se Rama ka konsumuar tre vepra penale.
“Kanosjet i kishin ardhur nga Rrahman Rraja, i biri dhe familjarë të tyre. Edhe në fillimin e procesit penal kreu i grupit të PS, kreu i bashkisë së Krujës dhe deputet Rraja kanë qenë në komisariat dhe e kishin kërcënuar nënkomisarin. Çuditërisht pas fillimit të hetimeve nga prokuroria, si për ngjarjen në Krujë dhe për kërcënimet ndaj Nuhut, pra dy hetime të filluara nga prokuroria.
Rama në një komunikim publik kërcënon nënkomisarin Nuhu duke e quajtur horr të kthyer në hero, që ka penguar jetimi dhe e ka përdorur rastin për të marrë azil politik. Rama i është kanosur komisarit, ka ndërhyrë në punën e organeve hetimore dhe paracaktoi rezultatin e hetimit dhe vendosi se si duhet të ishte, të mbrohej djali i deputetit dhe të poshtërohej dhe dënohej nënkomisari Nuhu”, tha Spaho.
Ndër të tjera Spaho shtoi: Ka kryer tre vepra penale referuar kodit, kanosje për shkak të detyrës, veprime për fshehjen e së vërtetës dhe së treti kanosje për të mos kallëzuar, ndaj komisarit Nuhu, që dënohen me 2,3 dhe 4 vjet burg.