I pari që ka hyrë në sitën e vetingut ka qenë gjyqtari i Administratives në Shkodër, Ahmet Jangulli. Ky i fundit është anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe si i tillë bën pjesë në listën e përparësisë. Jangulli, i cili ishte i pranishëm në seancën që nisi në orën 09:30, zgjodhi të mbrohej vetë për gjetjet e hetimit administrativ.
Trupa gjykuese përbëhej nga Valbona Sanxhaktari në cilësinë e kryesueses, Brunilda Bekteshi në cilësinë e relatores dhe Suela Zhegu si anëtare. Problemet për gjyqtarin Jangulli u evidentuan që në nisje të seancës me leximin e raportit të ILDKPKPI-së. Sipas këtij institucioni, gjyqtari Jangulli ka deklarim të pasaktë të pasurisë, si edhe fshehje të të ardhurave. Po kështu, hetimi administrativ evidentoi probleme në pasurinë e gjyqtarit, papërshtatshmëri për vazhdimin e detyrës sipas DSIK-së, ku gjyqtari dyshohej se ishte përfshirë në një rast korrupsioni, si edhe probleme me aftësitë profesionale.
PASURIA
Sipas hetimit administrativ të KPK-së, gjyqtari Jangulli kishte probleme me blerjen dhe shkëmbimin e një automjeti tip “Benz”, si edhe me lëshimin e 12 milionë lekëve si hua te dy njerëz të afërm të tij. Sipas KPK-së, automjetin që ka aktualisht në pronësi gjyqtari, e ka shkëmbyer me një automjet po tip “Benz” të blerë në vitin 2005. Mirëpo, sipas hetimin administrativ, rezulton se ai nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e atij automjeti. Po kështu, për huat e lëshuara pa interes të të afërmit ka deklarata noteriale të paplota dhe nuk justifikohet burimi i tyre. Problem, sipas KPK-së, është edhe një kredi 700 mijë lekëshe, që rezulton se është marrë nga bashkëshortja e gjyqtarit, por ky i fundit ka thënë se bashkëshortja është dorëzani në këtë kredi dhe se nuk është marrë për llogari të saj. Gjyqtari Jangulli u mbrojt për pasqyrat financiare dhe tha se analizat e hetimit administrativ janë të gabuara. Ai solli në seancë pasqyra financiare të tjera nga aktiviteti i zyrës noteriale të bashkëshortes, që, sipas tij, justifikon të ardhurat dhe shpenzimet.
FIGURA
Problem për gjyqtarin Jangulli është edhe integriteti i figurës. Kështu, sipas raportit të DSIK-së të lexuar nga relatorja Bekteshi, Jangulli konsiderohej si i papërshtatshëm për detyrën, pasi kishte dyshime se ishte përfshirë në një rast korrupsioni me një prokuror, kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Dibrës. Kështu, bëhej fjalë për një çështje të vitit 2004, ku të akuzuar ishin tre persona, një ishzyrtar i gjendjes civile dhe dy shtetas. Këta të fundit akuzoheshin për falsifikim dokumentesh, ndërsa ish-zyrtari për “shpërdorim detyre”. Sipas hetimit administrativ, rezulton se prokurori ka kërkuar dy vjet burg për ish-zyrtarin dhe nga një vit burg për dy shtetasit. Mirëpo, në fund, gjyqtari ka rikualifikuar veprat penale, duke ndryshuar nga falsifikim dokumentesh, në përdorim dokumentesh të falsifikuara. Ai i ka shpallur të pafajshëm dy qytetarët dhe ka dënuar me gjobë ish-zyrtarin. Gjyqtari Jangulli u mbrojt për këtë proces dhe tha se Gjykata e Apelit e kishte pushuar akuzën.
AFTËSITË PROFESIONALE
Një tjetër aspekt ku gjyqtari Jangulli ngeli ishte kriteri i aftësive profesionale. Për gjyqtarin kishte një lumë ankesash për shkelje të etikës profesionale. Kështu, vetëm në KLD ka pasur 16 ankesa për zvarritje të gjykimit apo mungesë të etikës në sallën e gjyqit. Nga këto ankesa, gjashtë ishin arkivuar dhe 10 të tjera ishin verifikuar në të shkuarën. Dy prej ankesave kanë qenë për shkelje etike dhe komunikim me ton të lartë zëri. /Nga Erlad DELIU/