Deri në vitet ’60 në Shqipëri organizohej lotaria kombëtare me përfitime në sende dhe në të holla. Vendimet për hapjen e saj i merre Byroja Politike dhe më pas bëheshin akte zyrtare nga Këshilli i Ministrave. Me vendimin nr.151, datë 22.5.1959 Byroja Politike vendosi që norma e fitimit për shtetasit të ishte 40% e shumës, ndërsa 60% e saj i kalonte shtetit. Në relacionin përkatës thuhej se për këtë lotari ishin udhëhequr “nga eksperienca e arkave të kursimit të Bashkimit Sovjetik”, të cilat përkraheshin “gjerësisht nga punonjësit”, sepse shumë mallra të shtrenjta ata nuk mund t’i blinin kurrë. Ishin konsultuar me punëtorët e uzinave. Ata kërkonin që lotaria të hidhej çdo 2 muaj, ndërsa mendimi i partisë ishte për dy herë në vit “si në Bashkimin Sovjetik”. Shitja e biletave do të bëhej në arkat e kursimit dhe në qendrat e punës së punëtorëve. Pak a shumë, ishte një lloj bingoje masive.
Debati i zhvilluar
Mbi organizimin e lotarive me fitim objektesh me në të holla
Shoku Mehmet Shehu: E gjithë davaja këtu bëhet për 10 milion lekë.
Shoku Abdyl Këllezi: Kuznjecovi tha që këtë mos e bëni si neve. Ne duhet të mendojmë që ta bëjmë një herë në muaj. Në fillim e bëjmë heqjen një herë në 3 muaj, kurse pastaj edhe mund ta bëjmë më shpejt.
Shoku Adil Çarçani: Mund të bëhet çmimi i biletës prej 25 lekësh dhe të hiqet shpejt.
Shoku Enver Hoxha: Po mallra a kemi?
Shoku Abdyl Këllezi: Po, mallra kemi.
Shoku spiro Koleka: Nga shitja e lotarive neve mbajmë 60%, kurse fituesve t’u japim 40%.
Shoku Pjetër Kosta: Kryqi i Kuq e ka për llotarinë e tij 5%.
(Vendoset fituesi të marrë 40% të shumës) /Nga Kastriot Dervishi/