60 vite estradë në Shkodër janë festuar natën e të martes në Shkodër, në një sallë të tejmbushur me ajkën e humorit shqiptar në Teatrin “Migjeni”. “Humoriada shqiptare” e regjisorit të mirënjohur shkodran Arian Çuliqi, një dokumentar që shpejt do të shfaqet edhe në RTSH, përcolli rrugëtimin e mrekullueshëm të Teatrit të Estradës në Shkodër.
Legjendat e skenës shkodrane e shqiptare u rikthyen edhe njëherë në këtë përvjetor, me gjithë madhështinë e tyre, tashmë si një vlerë që na bën të gjithëve të ndjehemi krenarë. Fatmirësisht shumë kollosë të humorit i kemi mes nesh dhe urojmë t’i kemi edhe për shumë e shumë vite, ashtu siç të gjithë bashkë ishin në Teatrin “Migjeni”. Mungonte Besnik Çinari, “mungesë me arsye” do të thoshte ai vetë me humor, por sigurisht do të kthehet shpejt tek publiku i tij.
Të jesh pjesë e një eventi të tillë është kënaqësi por edhe nder. Sepse po flasim për humorin, për Estradën e Shkodrës që ishte absolutisht më e pakonkurrueshmja edhe gjatë viteve të rënda të diktaturës. Madje, duke guxuar shumë me humorin që sfidonte edhe “kohën e marrë” që kemi lënë pas.
Gëzuar 60 vite estradë! Mirënjohje për ata që nuk janë më! Respekt për ata që sot na frymëzojnë! Mbështetje për të gjithë ata që kanë marrë përsipër ta çojnë përpara Teatrin e Estradës në Shkodër!