Gushti u thye në mes. Administrata qeveritare ka shkrirë plazheve dhe shpenzon me bollëk, eurot e shumta të fituara derimë tani. Tregëtarët e kanabisit po shesin me sukses “mallin” e grumbulluar në hambarë. Kalimi i pushteteve, drejt tjetërsimit 100% në një dorë dhe në një ngjyrë të vetme politike, po ndodh me hope, por po ndodh ditë pas dite. Emërime, çemërime, tradhëtira të vogla, të mesme dhe në Shtator mund të ndodhin edhe më të mëdhatë.
Paqartësia e marrëdhënieve të ardhshme PS-PD, vijon të jetë aktuale dhe është shndrruar në një bast fakti, nëse do të ketë ose jo një koordinim apo një aleancë politike Rama-Basha.
Janë të shumtë ata që nuhasin rokadën e re të pushteteve dhe po presin Shtatorin për tu pozicionuar nga e para, në Orbitën eksituese të Pushtetit të ripërtëritur të Ramës.
Kryeministri, tashmë me eksperiencë vijon me të drejtë të jetë dyshues, ndaj prurjeve dhe ndaj dezertimeve që vijnë nga Lsi apo nga Pd.
Sepse ai e di mirë që dezertorët dhe xhonglerët që bëjnë kalime nga një parti në tjetrën, janë të uriturit e përhershëm që dinë të grryejnë çdo pushtet.
Dhe kanë supertalent në Asgjëbërje, dhe se Asgjëbërja është një punë e mirëpaguar, që mund të ta afrojë vetëm shteti.
Mirëpo Rama trembet nga kjo kategori karkalecësh, që mund të shfarosin mjerisht financat e brishta të qeverisë së tij, porse politikisht i duhen, madje ka dalë edhe në blerje të tyre, për të treguar forcën e vet dhe dobësimin e kundërshtarëve.
Gjiri i shtrydhur rëndë i financave shqiptare, ka filluar të shterrë qumshtin dhe të nxjerrë gjak, ndërsa financimet ndërkombëtare nuk ja mbrrijnë dot të derdhen në Shqipëri. Kriza e parasë do të fillojë të ndihet shumë shpejt në të gjitha nivelet dhe pa para, motori i makinës së qeverisjes punon me ngërçe, duke krijuar pakënaqësirat e para… /360grade.al/